Vuk Drashkoviq - Foto: Media Centre

Drashkoviq për Vuçiqin – Të zbardhen të gjitha krimet dhe e vërteta për Kosovën

Vuk Drashkoviq, kundërshtar i regjimit të Millosheviqit gjatë viteve 1990, tha për mediumin serb N1 sot se opinioni publik në Serbi do të ndryshonte nëse zbulohej e vërteta për Kosovën dhe krimet e luftës.

Drashkoviq, i cili drejtoi demonstratat kundër regjimit të Millosheviq të 9 marsit 1991 në Beograd, ka thënë se ka këshilluar presidentin Aleksandar Vuçiq të nxirrte në shesh krimet dhe të vërtetën për Kosovën.

“I kam thënë se duhet (vepruar) sikur Charles De Gaulle, të preni, të rrezikoni, më së shumti rrezikon ai që nuk merr përsipër rreziqe. Besoj se sikur Serbia ta dinte të vërtetën e pastër ku na çon rruga e Uashingtonit dhe Brukselit përmes Moskës, çka është me Kosovën, po të hapeshin dosjet e krimeve që janë bërë prej dorës serbe gjatë viteve ’90, për kohë shumë të shkurtë situata do të përmbysej. Shumë shpesh ia them këtë. Ai nuk po më thotë asgjë. Por unë besoj se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër – a do të jetë Serbia shtet normal apo si Siria ose Venezuela”, tha ai.

Ai tha se Serbia nuk mund të ecë përpara përveç nëse e zgjidh çështjen e Kosovës e cila, sipas tij, ishte e humbur nga regjimi ndaj të cilit luftoi.

“Orientimi për të mbrojtur atë që ne nuk kemi, atë që kemi humbur, është politikë e opozitës në Serbi”, tha Drashkoviq. Ai tha se çështja ishte zgjidhur me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, e cila dëboi përgjithmonë Serbinë nga Kosova.