Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi i Kosovës pritet të nënshkrujë kontratë 1.3 milion euro me "Digitalb"

Telekomi i Kosovës pritet të nënshkruajë kontratën në vlerë 1.3 milion euro me platformën shqiptare “Digitalb”.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit “e-prokurimi”, kontrata e cila është shpallur përmes procedurës së negociuar do të nënshkruhet gjatë ditës së sotme.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare ndërsa pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin abonent.

Sipas dosjes së tenderit, përzgjedhja e kanaleve përfundimtare do të bëhet nga Telekomi gjatë fazës së negociatave, ku po ashtu do të mirren për bazë edhe kërkesat e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Përveç kanaleve të rregullta televizive, sipas dosjes së tenderit, parashihet që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe opsioni “VOD-kontent”, në të cilën transmetohen filma, dokumentarë, emisione dhe përmbajtje tjetër premium.

“Kanalet e filmave duhet të jenë të titruara në shqip ose mundësisht të sinkronizuara në gjuhën shqipe dhe të ketë mundësi që të bëhet zgjedhja e gjuhës origjinal apo e sinkronizuar në gjuhën shqipe. Të frohen edhe kanale ndërkombëtare dhe premium sipas mundësive që ka Digitalb” – thuhet në dosje.

Një detaj interesant i draft-kontratës, është se është parashikuar që në rast se Digitalb humb të drejtën e transmetimit të ndonjë kanali, Telekomi i Kosovës pajtohet plotësisht me zëvendësimin e atij kanali me një kanal tjetër të së njejtës cilësi ose me cilësi më të lartë. Në të kundërtën, sipas draft kontratës, lejohet zbatimi i reduktimit me 3% të çmimit për abonent.

“Digitalb do të njoftojë Telekomin e Kosovës dhe të dy palët do të diskutojnë impaktin dhe për të gjetur zgjidhje adekuate dhe të pranueshme për Telekomin, nëse gjatë afateve të vlefshmërisë së kësaj kontrate do të ketë ndryshime mbi të drejtat e transmetimit të kanaleve. Ky dakordim duhet të kryhet të paktën 15 ditë para se ndryshimi të jetë efektiv” – thuhet në draft-kontratë.

Gjatë javës së kaluar, zëdhënësi i Telekomit Fadil Lepaja, kishte bërë të ditur se Telekomi i Kosovës është në negociata me “Digitalb” për arritjen e marrëveshjes për ofrimin e kanaleve televizive.

Në anën tjetër, në fillim të janarit kanalet e Digitalb që transmetoheshin në Kosovë përmes operatorëve kabllorë, kishin ndaluar transmetimin, për shkak se siç u tha nga kompanitë, kishte përfunduar marrëveshja në mes palëve.

Qytetarët kishin raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

Pas këtyre ankesave, Komisioni i Pavarur për Media ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë, me 64 mijë euro operatorin ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatorin kabllor ‘Kujtesa’, me 7 mijë euro operatorin ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro operatorin ‘Telkos’, duke konstatuar se këta operatorë kanë bërë shkelje, kur i kanë ndërprerë kanalet pa paralajmërim.

KPM dënon me gjobë Artmotion, Kujtesën, Ipkon dhe Telkosin pas ankesave të qytetarëve