Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi e quan të parregullt vendimin e Arbitrazhit

Telekomi i Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila ka vendosur që Telekomi t’ia paguajë mbi 11 milionë euro kompanisë “Z-Mobile”.

Sipas këtij reagimi, ky vendim nuk është në përputhje me parimet kryesore të drejtësisë dhe përgjegjësisë kontraktore, pasi që, sipas Telekomit, kontrata me “Z-Mobile” konsiderohet e përfunduar më 30 korrik 2019.

“Si i tillë, vendimi është në esencë i parregullte dhe Telekomi i Kosovës Sh.A. do të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin”, ka thënë Fadil Lepaja, u.d. drejtor për Relacione me Publikun i Telekomit.

Tutje është treguar se ekspertët ligjorë të kësaj kompanie publike janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë vendimin e Arbitrazhit në gjykatat kompetente.

Vendimi i Arbitrazhit është për rastin e mosvazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë “Dardafon.net L.L.C”, në të cilën Blerim Devolli ka 90 për qind të aksioneve kurse kompania “K-com Group L.L.C” ka 10 për qind të aksioneve.

Arbitrazhi e ka obliguar Telekomin e Kosovës të paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net L.L.C”. Përveç kësaj për këtë shumë Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.

Nga kjo shumë prej 10.2 milionë euro, 7 milionë e 590 mijë do t’i paguajë në emër të fitimeve të humbura të “Z-Mobile”. Ndërsa Telekomi detyrohet që t’i paguajë edhe 2 milionë e 680 mijë euro në lidhje me dëmet e likuiduara të “Z-Mobile”.

Dispozitivi i vendimit tregon që është hedhur poshtë kundërpadia e Telekomit kundrejt “Z-Mobile”.

Përveç vendimit bazë, Telekomi i Kosovës është i obliguar që t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shpenzimet e bëra për arbitrazh në shumën prej 1 milion e 290 mijë e 770 euro. Telekomi do të paguajë edhe 117 mijë euro për kostot fikse për arbitrazh. Koha për pagesën e 1.4 milion eurove është 30 ditë, ndërsa pas kësaj periudhe Telekomi ngarkohet me një normë të interesit prej 8 për qind.

Të gjitha këto detyrime që Tekokomi duhet t’i paguajë “Z-Mobile” kapin shifrën e 11 milionë e 667 mijë euro.

Në këtë rast, Telekomi i Kosovës është përfaqësuar nga kompania e avokatisë nga Franca “Hogan Lovells” me bazë në Paris, ndërsa kompania “Z-Mobile” është mbrojtur nga kompania e avokatisë “Schonherr Rechtsanëalte” dhe avokati Virtyt Ibrahimaga.

KALLXO.com ka provuar të marrë një reagim nga “Telekomi i Kosovës” në lidhje me rastin, por ende nuk ka pranuar një përgjigje. KALLXO.com ka kërkuar një koment edhe nga “Dardafon.net L.L.C”. për këtë vendim të Arbitrazhit, por deri në publikim të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Për rastin e humbur në Arbitrazh, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj ka thënë se është vendimi është skandaloz dhe se dikush dueht të marrë përgjegjësi.

“Vendim skandaloz ku duhet t’i alarmojë të gjitha instuticionet përgjegjese që një vendim i tillë me dëme të konsiderushme të mos ekzekutohet”, ka vlerësuar ai.

“Si dhe të kërkohet të jepet përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në proces të këtij Arbitrazhi se si ka ardhur deri një vendim i tillë ku edhe Arbitrazhi e ka thënë që kontrata ka skaduar”, ka thënë Balaj.

Zanafilla e problemit

Në fund të muajit korrik të vitit 2019, Telekomi mori vendim që mos të vazhdojë kontratën me kompaninë “Z-Mobile”.

Në atë kohë, kryesuesja e bordit të kësaj ndërmarrje, Besa Shatri- Berisha kishte thënë se negociatat për lidhjen e një kontrate të re me operatorin telefonik ishte e pasuksesshme.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, kishte thënë kryetarja e bordit në korrik të vitit 2019.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtare “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit. Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës dhe “Z-Mobile” kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën “Z-Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

“Telekomi i Kosovës” prej kur shkëputi kontratën me “Z-Mobile” kishte telashe me borxhet. Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2019,  Telekomi gjendej para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj “Z-Mobile”.

Arbitrazhi i parë

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.