“Tavolina suedeze”: Shteti skandinav, i vetmi në botë që e shpërfill pandeminë

Ndërkohë që shumë hapësira publike në të gjithë Evropën janë boshatisura – me qytetarë që dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për të siguruar gjëra ushqimore esenciale për jetesë apo ilaçe – jeta në Suedi po vazhdon, në masë të madhe si zakonisht. Fëmijët vijojnë shkollën ndërsa të rriturit takohen për darkë në restaurantet apo kafenetë e tyre të preferuara.

Me një numër prej mbi 10,150 raste të konfirmuara me të infektuar si dhe me më shumë se 887 të vdekur, ekspertët e ndryshëm janë të shqetësuar se masat e dobëta që janë ndërmarrë në këtë vend mund të shpiejnë drejt një përhapje masive në këtë vend me rreth 10 milionë banorë.

Ky vend evropian i njohur për ftohtësinë e tij sociale si dhe sistemin socialist të qeverisjes nuk ka ndërmarrë asnjë masë bllokimi, dhe akoma lejon mbledhjen e njerëzve në grupe deri në 50 sosh dhe ka mbetur prapa me javë sa i përket këshillimit të popullatës së saj në lidhje me distancimin social, raporton Time Magazine.

Sipas CNN, kufizimet reale në këtë shtet zbatohen vetëm për personat e moshës 70 vjeç ose më të vjetër dhe banorët tjerë që janë të cenueshëm nga shëndeti. Megjithatë, restorantet, baret, shkollat ​​dhe zyrat akoma mbesin të hapura pasi qeveria shpreson se vullnetarizmi i suedezëve do t’i shpëtojë ata.

Deri më tani, kjo strategji e Suedisë nuk po del të jetë e suksesshme. Numri prej 887 të vdekur sa janë për momentin në këtë vend, nënkupton se ky numër është katër herë më i madh  krahasuar me fqinjët skandinavë, Norvegjinë me 119 dhe Finlandën me 49 të vdekur.

Në ndërkohë mjekët dhe ekspertët tjerë shëndetësorë po e lusin dëshpërimisht qeverinë për marrjen e masave drastike ashtu siç janë ndërmarrë në vendet tjera, jo vetëm në kontinentin evropian por në mbarë botën.

Për më tepër, një përqindje më e lartë e suedezëve që rezultojnë pozitiv nga testi për coronavirus ka vdekur nga COVID-19. Gati 9% e banorëve në Suedi që kanë testuar pozitiv kanë vdekur nga kjo sëmundje, krahasuar me 1.8% në Norvegji dhe 1.7% në Finlandë.

Testimi nuk është i përhapur ose i qëndrueshëm në të gjithë shtetin, mirëpo Suedia gjithashtu ka bërë përpjekje të kufizuara për të rritur numrin e të testuarve apo ndonjë përpjekje për të gjetur gjurmët se nga ku apo nga kush është bërë përhapja e coronavirusi.

Në mbarë botën, deri në këtë moment, më shumë se 100,000 njerëz kanë gjetur vdekjen nga COVID-19, ndërkohë që suedezët akoma vazhdojnë ta konsiderojnë këtë shifër vdekjesh si diçka normale apo e zakonshme.

Suedia ka një normë relativisht të lartë të fatalitetit të rasteve: që nga 8 Prilli, 7.68% e Suedezëve që kanë testuar pozitivisht për COVID-19 kanë vdekur nga koronavirusi. Vendet fqinje, si Norvegjia dhe Danimarka, kanë nivele vdekshmërie të rasteve me 1.46%, respektivisht, 3.85%. (Shkalla e fatalitetit të rasteve në Sh.B.A është 3.21%.) Ndërsa shkalla e lartë e fatalitetit të rasteve në Suedis mund të jetë rezultat i niveleve të ulëta të testimit në krahasim me fqinjët e saj.

Qeveria Suedeze vazhdon të insitojë në ndërmarrjen e masave më të lehta në përballje me pandeminë. Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik i ka paralajmëruar qytetarët suedezë se gjatë teshtitjes apo kollitjes duhet ta mbulojnë gojën e tyre dhe duhet larë duart e tyre rregullisht, mirëpo në të njëjtën kohë kjo agjenci nuk ka kërkuar implementimin e masave tjera të kufizimit apo bllokadës.

Më 11 mars, qeveria e ka ulur numrin e personave që mund të mblidhen nga 500 qytetarë në të njëjtën kohë ndërkohë me 29 mars këtë numër e ka ulur pastaj në 50. Vende të tjera, si Gjermania dhe Australia, kanë ndaluar grumbullimin në grupe me më shumë se dy persona. Në fillim të javës qeveria suedeze ka deklaruar se fluturimet e brendshme do të vazhdojnë së operuari, megjithë rreziqet që sjell udhëtimi brenda vendit për përhapjen e sëmundjes.

Anders Tegnell, epidemiolog kryesor në Suedi që mbikëqyr reagimin e qeverisë ndaj COVID-19 ka thënë se qeveria duhet të lejojë që virusi të përhapet ngadalë nëpër popullatë, një qasje e përdorur fillimisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda përpara se të dy vendet të ndryshonin me shpejtësi këtë strategji pasi u siguruan se një qasje e këtillë do ta mbingarkonte edhe më shumë sistemin e kujdesit shëndetësor.

Për televizionin Suedez, Tegnell ka deklaruar se COVID-19 do të mund të ndalej duke “imunizuar masën apo edhe me kombinimin e imunizimit me vaksinën.” (Ndërkohë, një vaksinë kundër COVID-19 ka shumë gjasa që të jetë gati pas 14 muajve).

“Imunizimi i masës nuk ka kuptim sepse nuk dihet nëse një individ do të bëhet imun ndaj kësaj pandemie” thotë profesoresha nga klinika e epidemiologjisë, Nele Brusselaers. Sipas saj, “ky është një virus që mund të vrasë secilin.”

Në fund të muajit mars, 2300 mjekë, shkencëtarë dhe akademikë e kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar qeverisë suedeze duke bërë thirrje për ndërmarrjen e masave më strikte në përballje me pandeminë.

“Ne mendojmë se nuk ka asnjë provë shkencore për strategjinë qeveritare,” thotë për Cecilia Söderberg-Naucler, eksperte e patogjenezës mikrobiologjike.

Sipas saj, qeveria nuk dëshiron t’i ndajë të dhënat e saj me shkencëtarët, gjë që e shtyen atë të besojë edhe më shumë se strategjia e qeverisë “nuk bazohet në prova”.

Aktualisht, ekspertët thonë se qeveria suedeze nuk po i ndjek udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila i këshillon shtetet me COVID-19 të vihen në kërkim të gjurmët kur është e mundur dhe të miratojnë masa të rrepta të izolimit. “Jam e befasuar dhe e irrituar që qeveria suedeze akoma nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim ose nuk ka marrë parasysh këshillat e dhëna nga OBSH,” thotë Brusselaers.

Parlamenti suedez do të takohet këtë javë për të diskutuar nëse masat më të ashpra që kufizojnë sektorin e biznesit dhe udhëtimet duhet të implementohen. Söderberg-Nauclér thotë se tashmë është vonë për të parandaluar kaosin në Stokholm, por që masat parandaluese të bllokadës mund të merren ende në të gjitha pjesët e tjera të vendit.

“Nëse ata kanë të drejtë dhe ne kemi gabuar, unë do të festoj me shampanjë për këtë,” thotë Söderberg-Nauclér. Ajo vëren se bazuar në modelimin që e ka vërejtur, sistemi i kujdesit shëndetësor në Suedi do të pësojë një kolaps nëse nuk ndërmerren masa të rrepta menjëherë.

“Mirepo, unë nuk do të heq dorë nga kjo luftë derisa qeveria të na i tregojë dëshmitë në lidhje me strategjinë e tyre.”

Sondazhet tregojnë se qytetarët suedezë i besojnë Autoritetit të Shëndetit Publik, me 48% duke deklaruar se kanë besim shumë të madh ose besim të madh në këtë institucion. Rrallëherë ndodh kur shoqëria suedeze e kundërshton qeverinë e saj. Edhepse qytetarët suedezë janë të shqetësuar me humbjen e më të dashurve të tyre, në të njëjtën kohë ata gjithashtu besojnë se qeveria është duke e bërë punën e duhur.”

Shkalla e buesueshmërisë së suedezëve në politikanët e tyre është mbi mesatare, të cilët nga ana tjetër, u besojnë qytetarëve në ndjekjen e këshillave të tyre.

“Në Suedi, qasja ka qenë gjithmonë për të bërë sugjerime dhe pastaj ti lihet publikut të vendosë për këtë,” thotë Johan Erik Lallerstedt, regjisor 23-vjeçar që jeton në Stokholm. “Cfarëdo udhëzimi që qeveria mund të japë prapë mbeten vetëm ato: sugjerimet. Asgjë nuk bëhet me forcë.”

Mirëpo Söderberg-Nauclér beson se kjo epidemi mund t’i japë fund një historie të gjatë të besimit të publikut në raport me qeverinë e tij.

“Nëse e vendosni jetën e njerëzve në rrezik në një shoqëri demokratike dhe atëherë nuk i ndihmoni ata, si do t’i besojë kjo shoqëri politikanëve pastaj? ” ajo tha. “Unë nuk dua të jetoj në një shoqëri që i trajton njerëzit në këtë mënyrë.”