Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Tri ligjet që do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë në Kosovë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se tri projektligjet që ishin në rendin e ditës të seancës së Kuvendit të Kosovës: ai për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, me përmbajtjet që kanë aktualisht, do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë në Kosovë.

Sipas Tahirit, miratimi i këtyre projektligjeve do të shkaktojë dëme afatgjate për institucionet e pavarura kushtetuese.

“Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë, duke shkaktuar dëme afatgjate për institucionet e pavarura kushtetuese, duke goditur në themel administratën shtetërore, duke krijuar pasiguri juridike dhe duke e lënduar fuqishëm shtetin e së drejtës”- ka thënë Tahiri.

Problemi kryesor te Ligji për KPK-në, sipas tij, është përbërja.

“Me këtë model të përbërjes së KPK-së është ka cenohet pavarësia institucionale që i delegohet nga Kushtetuta e  Kosovës. Kjo përbërje mundëson ndikim të drejtpërdrejtë politik nga qeveria. Thjesht, qëllimi është që vendimmarrja dhe ndikimi politik në vendimmarrje të ndodhë përmes anëtarëve, jo prokurorë”- është shprehur Tahiri.

Për Ligjin për KPM-në, deputeti i AAK-së, ka thënë se me të ndryshon procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së, “duke ia mundësuar VV-së kapjen e institucionit për gati 10 vjet dhe t’i shkarkojë lehtësisht, nëse nuk i binden partisë”.

“Mediat online po tenton t’i regjistrojë, që të mund t’i denojë me pare, kur nuk iu pëlqen ndonjë media, dhe kështu  t’i mbyllë. Ligji ka shpik definicione që nuk ekzistojnë (BE-ja ka thënë kështu)”- ka theksuar Tahiri.

Lidhur me Ligjin për për Zyrtarët Publikë, ai ka theksuar se me të rrezikohet siguria juridike e 1 mijë e 600 pozitave udhëheqëse në Administratën Shtetërore.

“Dmth ky ligj, në vend se të bëjë një reformë, e kthen prapa, ose me saktë, e shkatërron administratën tonë shtetërore. Propozimini i këtij ligji është në kundërshtim me një aktgjykim, që tashmë e ka marrë Gjykata Kushtetuese, është një moment i ri dhe negativ në praktikën e ligjbërjes në Kosovë”- ka shkruar Tahiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të seancës së sotme të Kuvendit [27.06.2024] ka propozuar që tri projektligjet që janë në shqyrtim të dytë, ai për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të tërhiqen nga rendi i ditës, për shkak të vërejtjeve dhe rekomandimeve nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Këshilli i Europës.

Një propozim të tillë e kanë mbështetur grupet parlamentare të opozitës, por jo edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Pas kësaj deputetët opozitarë, kanë lëshuar seancën plenare.

Punimet e seancës më pas vijuan me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetje parlamentare. Ndërkaq pas një pauze të shkurtër, kryeparlamentari Glauk Konjufca konstatoi se nuk ka kuorum të mjaftueshëm që të vazhdohet tutje me seancë.

“Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë do ta vazhdojmë në javën e ardhshme”- tha Konjufca.

Kryetari i Asociacionit te Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, sot më 27.06.2024 përmes një konference ka shprehur shqetësimet e tyre lidhur më projektligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave i cili pritet të miratohet sot në lexim te dytë në Kuvendin e Kosovës.

“Si AGK e themi se Shoqëria Civile nuk ka qenë e përfshirë në fazat kryesore të hartimit të këtij ligji dhe qeveria e Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar që të flasë me gjithë akterët”- tha kryetari i AGK-se, Xhemajl Rexha.

Ndërkaq sipas juristes së mediave Flutura Kusari, ky ligj është thelbësor dhe është dashur të trajtohet me një ndjeshmëri më të lartë.

Ndërsa, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.