Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Sylë Hoxha: Grupi i Milan Radoiçiq ka ndikim në struktura shtetërore në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë mbajtur sot konferencë për media ku kanë prezantuar aksionin policor i cili u zhvilluar mëngjesin e sotëm në Veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë në këtë konferencë se ky operacion policor është zhvilluar sot në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti Special, në të cilin kanë qenë të kyçur rreth 100 zyrtar policor, dhe është zhvilluar në tri lokacione, ku edhe janë kryer bastisjet.

Të dyshuarit të cilët po kërkoheshin nga policia dyshoheshin për organizim të grupeve kriminale, dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në bazë të urdhër kontrollit, është arritur të arrestohet i dyshuari, zyrtar policor R.B, i  përfshirë në urdhër kontroll, ndërsa i dyshuar i dytë, paashtu zyrtar policor i cili ka qenë në kërkim nuk është takuar nga policia”, ka thënë Kelani.

Ai ka treguar edhe për arrestim e një personi të dyshuar, i cili nuk ishte i përfshirë në urdhër kërkim.

“Gjatë këtij operacioni është arrestuar një person i dyshuar i cili nuk ka qenë i përfshirë në urdhër kërkim po  arrestimi i tij është bërë dyshimin se në atë lokacion ku është takuar i dyshuari është gjetur një armë’, ka thënë Kelani.

Ai ka treguar se Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni, i cili ka qenë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka arritur të konfiskoj gjashtë armë, dy prej të cilave kanë qenë armë zyrtare, si dhe paisje të ndryshme elektronike.

Ndërsa, Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka folur për grupin kriminal të Milan Radoiçiq për të cilin ka thënë se ka ndikim në Policisë e Kosovës dhe strukturat e tjera shtetërore ne Veri të Mitrovicës.

“Prokuroria Speciale zhvillon hetime edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviq dhe se në pjesën veriore të Mitrovicës ekzistojnë grupe kriminale, të organizuara mirë të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, ndaj të cilit jeni në dijeni se është lëshuar edhe urdhër arrest ndërkombëtar dhe jemi në pritje të zbatimit të asaj urdhërese. Grupi kriminal i Milan Radoiçiq është mjaft i organizuar dhe ka ndikim edhe në Policinë e Kosovës dhe në strukturat tjera shtetërore të asaj pjese”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka treguar se Prokuroria Speciale para dy ditëve ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve ndaj dy zyrtarëve policorë në Veri të Mitrovicës.

“Ne kemi zgjeruar hetimet për veprat penale pjesëmarrje ose organizmin e grupit kriminal dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. Gjatë këtij aksioni një person zyrtar policor është hasur dhe është arrestuar. Këtë person e kam intervistuar sot paradite për çka dyshohet dhe kam parashtruar në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e paraburgimit”, ka thënë Hoxha.

Ai tutje ka shtuar se ndaj dy personave për të cilët është zgjeruar hetimi, dyshohet se kanë punuar nën urdhërat e Milan Radojqiq.

“Këta persona për të cilët janë zgjeruar hetimet, dyshohet se nuk i kanë kryer veprimet e duhura dhe i kanë fshehur disa veprime dhe prova të cilat është dashtë të sigurohen në raste të ndryshme të vrasjeve, jo vetëm tek vrasja e Oliver Ivanoviq por edhe tek rastet e tjera”, ka thënë Hoxha.

Zyrtari policor i cili u arrestua sot, sipas Hoxhës është hetues dhe dyshohet se ka punuar në mënyrë selektive dhe në direktiva të dikujt tjetër.

Hoxha tutje ka shtuar se në operacionin policor është arrestuar edhe një person tjetri i cili nuk ka qenë në urdhëresën e gjykatës dhe tek i cili është gjetur një revole.

“I njëjti dyshohet për armëmbajtje pa leje, i njëjti është liruar pas intervistimit”, ka thënë Hoxha.

KALLXO.com ka trasmetuar live konferencën e Policisë.

LIVE: Konferenca e Policisë dhe Prokurorisë Speciale për aksionin në veri

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 16 octobre 2019