Sveçla viziton policët në veri të Kosovës: Sovraniteti është i patjetërsueshëm

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka vizituar zyrtarët e Policisë së Kosovës tek Liqeni i Ujmanit, Zupç, Junake e në urën e Bistricës.

Përmes një shkrimi, Sveçla është shprehur se sovraniteti është i patjetërsueshëm.

“Sot në Jasenovik, në pendën e Liqenit të Ujmanit, në Zubq, në Junake e në Urën e Bistricës. Me vajzat dhe djemtë e Policisë së Kosovës që nuk kursejnë asgjë në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë.  Në shoqëri normale demokratike, Republika është e veshur me sovranitet. Sovraniteti është i patjetërsueshëm” – ka shkruar ai.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Përshkallëzimi ndodhi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan për të shmangur përplasjet mes palëve u sulmuan nga disa protestues, duke lënë 30 ushtarë të plagosur.