Sveçla thotë se kidnapimi i tre policëve u krye nga njësitë speciale të Ushtrisë dhe Xhandarmërisë së Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë dje, është kryer me planifikim nga njësiti special i Ushtrisë së Serbisë i njohur si ‘Kobra’ dhe njësiti special anti-terror i njohur atje si ‘SAI’.

Në një konferencë për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Sveçla ka thënë se Serbia është duke propaganduar rreth lokacionit ku kanë qenë policët e Kosovës.

“Unë kam vizituar vendin ku ndodhi ngjarja, ku ndodhet 1 kilometër brenda kufirit tonë, bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është e bllokuar, ëhtë e ndarë në mes me gropë dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e serbisë ashtu siç e thotë propaganda e Beogradit, për t’i ikur përgjegjësisë” – ka thënë Sveçla para gazetarëve.

Sipas tij, në këtë lokacion, në zonën kufitare në fshatin Bare të Leposaviqit, ka pasur edhe drunjë të cilët ishin vendosur për të penguar ndonjë njësi asistuese të Policisë.

“Në këtë lokacion, në prapavijë në territor të Kosovës ka pasur edhe drunjë të cilët kanë bllokuar rrugën, me qëllim të bllokimit të njësive asistuese të Policisë së Kosovës” – ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se Beogradi zyrtar ndërmori një hap të turpshëm, sipas tij, të papranueshëm dhe të dënueshëm, si hakmarrje pas arrestimit të kriminelit ‘Llune’.

“Protestat nuk kanë qenë të qytetarëve, por të grupeve kriminale. Njëri nga ta, Millen Millenkoviq – Llune, falë punës së Policisë arriti të arrestohej. Historiku i dosjes së tij kriminale tregon për aktivitete dhe sulme të paligjshme, të ndërmarra ndër vite, lista e të cilëve është shumë e gjatë” – tha Sveçla.

Policia e Kosovës ka konfirmuar dje se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Kurti flet pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë