Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Suspendohen katër polic që kaluan kohë në lokal gjatë detyrës zyrtare

Katër pjesëtar të Policisë së Kosovës me detyrë në Stacionin Policor Mitrovicë të Veriut, janë suspenduar nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Policia përmes një komunikate për media, bëri të ditur se suspendimi erdhi pas pamjeve të publikuara në portale dhe rrjete sociale, ku shihen se zyrtarët policorë në uniformë gjatë orarit të punës, kalojnë kohë në një lokal/sport-klub.

Vendimi për suspendimin e tyre të përkohshëm prej 72 orësh është lëshuar sot, mbi bazën e dyshimit se të njëjtit, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore, e paraparë me urdhrin administrativ mbi “Shkeljet, masat dhe procedura disiplinore në Policinë e Kosovës”.

Policia njofton se, përpos suspendimit të përkohshëm, Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut ka iniciuar procedurë për hetim të shkeljeve të supozuara, ndërsa procedurat tjera të hetimeve të brendshme disiplinore do udhëhiqen nga hetuesit policorë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale.