Emir Sulagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe i mbijetuar i gjenocidit në Srebrenicë

Sulagiq: Një nga sukseset më të mëdha të Serbisë është që ka arritur ta largojë Bosnje dhe Hercegovinën nga Kosova

Drejtori i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulagiq, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për marrëdhëniet bilaterale në mes Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Ai tha se kjo marrëdhënie që “ekziston apo nuk ekziston fare”, po i dëmton të gjithë.

“Po i dëmton edhe ata që janë përgjegjës për të, e ata që janë përgjegjës për të janë politikanët e Bosnjës nga radhët e serbëve, por se si ia bëjmë përreth kësaj, kjo është pjesa e rëndësishme. E këtu duhet të jem krejt i sinqertë, e të pajtohem me ju, që nuk kemi bërë mjaftueshëm, as afër, për të krijuar një marrëdhënie që unë e konsideroj vitale, sepse jemi pjesë e të njëjtës lagje, sepse e urrej fjalën rajon, jemi pjesë e të njëjtës lagje, unë e konsideroj Kosovën si fqinje të Bosnjës e Hercegovinës” – tha Suljagiq.

Ai në një intervistë për “Kallxo Përnime”, tha se nuk e di se pse nuk po gjendet një mënyrë për të zgjidhur regjimin e vizave.

Sulagiq e konsideroi sukses të Serbisë, largimin e Bosnje e Hercegovinës nga Kosova.

“Pse nuk jemi më proaktivë, pse nuk po gjejmë mënyra për të zgjidhur këtë regjimin e vizave, sinqerisht nuk e di. Po të isha unë në pozitë për ta bërë, do ta bëja, sepse siç e thashë, e konsideroj këtë me rëndësi jetike. Mendoj që një prej sukseseve më të mëdha të politikës serbe në rajon është që ka arritur të largojë Bosnjën nga Kosova”, – tha tutje drejtori i Qendrës Memoriale të Srebrenicës.

Ai shtoi se serbët e Bosnjës kanë marrë, si pjesë e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, fuqinë e vetos në çështje si politika e jashtme, u është dhënë vetoja mbi një numër çështjesh.

“Kushtetuta jonë është ndërtuar mbi, si ta them këtë, tanket serbe! Tanket serbe janë integruar brenda Kushtetutës sonë. Në thelb, serbët e Bosnjës kanë marrë, si pjesë e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, fuqinë e vetos në çështje si politika e jashtme, u është dhënë vetoja mbi një numër çështjesh. Tani, kemi një situatë paradoksale ku, mbi 50% e popullatës tekstualisht mbahen peng nga 20-25% e popullatës, e arsyeja është që shumica e popullatës, 50 apo mbi 50%, janë muslimanë, kaq e thjeshtë është. Edhe disa prej vetë hartuesve të Marrëveshjes së Dejtonit janë marrë më shumë me terrorizmin islamik në Bosnjë, sesa që janë marrë me ndalimin e gjenocidit” – tha tutje ai.

Në korrikun e vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra e djem myslimanë.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, 11 Korriku, tashmë është shënuar në kalendarin zyrtar në faqen e OKB-së. Kjo pasoi pasi rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23.05.2024. Për Rezolutën votuan 84 vende, 19 ishin kundër, ndërsa 68 abstenuan. Kalendari zyrtar i OKB-së e rendit 11 Korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”.

Ndryshe Suljagiq qëndroi në Kosovë për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës si dhe ishte pjesë e hapjes së ekspozitës “Reportig House”.

Njëzet e pesë vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, Sulagiq ka ardhur në Kosovës për ekspozitën “Reporting House”, e cila ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë
e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vinë prej vendeve të ndrsyhme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll)
dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bouen, Ben Broun, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin,Eliza Hoxha, Paul Love, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andru Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Donika Shahini, Vaughan Smith, Nora Ueller, Sean Uhelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar and Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarë ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House është hapur në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë u shndërrua në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Reporting House synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë
pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi. Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit.