Foto: KALLXO.com

Sot festohen Pashkët Katolike

Besimtarët katolik sot festojnë Pashkët. Mbrëmë në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë  u mbajt mesha e pashkëve. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji nga kjo meshë përcolli mesazhe paqeje, ndërsa u lut për më shumë mbarësi për besimtarët.

Imzot Dodë Gjergji duke uruar qytetarët e besimit katolik për festën e Pashkëve, ka ftuar të gjithë njerëzit, të bëjnë ç’është e mundur, që të mbizotërojë paqja e vërtetë, harmonia, barazia dhe toleranca fetare.

Ipeshkvi i Kosovës, ka bërë thirrje që paqja të mbretërojë dhe t’iu jepet fund konflikteve kudo në botë.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e festës së Pashkëve dhe rolin e Shën Nënë Terezës që shërbeu për të mirën e njerëzimit në mbarë botën.

Kurse sot nga ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, të cilës do t’i prijë ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, ndërsa nga ora 19:00 bëhet pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit. Besimtarët katolikë presin të dielën e Pashkës, e cila njihet ndryshe si Dita e Ringjalljes, duke kaluar më parë nga Udha e Kryqit të së Premtes./RTKlive