Skenderaj - kallxo.com

Skenderaj, gjobitet barnatorja që shiti barna më çmim më të lartë

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se inspektorati komunal ka gjobitur me 500 euro barnatoren që pacientit ia rriti dukshëm çmimin e barnave.

“Sapo mora informaten që inspektorati komunal ka hasur në një rast të rritjes së çmimit të barnave dhe pas konfirmimit ka dhënë gjobë sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e komunës në rrjetin social “Facebook”.

Në këtë situatë, kjo Komunë ka kërkuar nga bizneset që të mos rrisin çmimet e produkteve por në vend të kësaj, me solidaritet e bashkëpunojnë për ta tejkaluar edhe këtë sfidë – coronavirusin.

Kujtojmë se dy raste pozitive me coronavirus janë konfirmuar orë më parë nga kryeministri i vendit dhe ministri i Shëndetësisë.

Njëri nga të prekurit nga ky virus është 77 vjeçar – kosovar dhe një 22 vjeçare – italiane.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka ndërmarrë disa vendime.

Disa prej tyre janë ndalimi i hyrje-dalje në Klinë dhe Viti, ndërprerjen e punës së kafiterive, restorante, qendrave tregtare etj.