Skandali i Gjykatës së Gjilanit, prokuroria ankohet në Gjykatën e Apelit

Një rast i cili u shndërrua në skandal nga ana e Gjykatës së Gjilanit, dega në Viti, është dërguar në Gjykatën e Apelit.

Ndaj një majori të Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK), Prokuroria në Gjilan kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.

Kjo masë u mohua nga ana e gjyqtarit Nexhat Aliu i cili kishte vendosur që ndaj majorit të FSK-së të dyshuar për rrahjen e bashkëshortes së tij, të vendoset masa e paraqitjes në stacion policor në Viti, çdo të tretën ditë.

Por këtë vendim të Gjykatës së Gjilanit, nuk e ka pranuar dhe për të njëjtën është ankuar në Gjykatë të Apelit, Prokuroria Themelore në Gjilan.

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbardhur se gjatë trajtimit të një rasti në familje, Gjykata e Gjilanit -dega në Viti ka shkelur rregullat e Kodit të Procedurës Penale duke e përballur një grua me burrin e saj i cili ishte arrestuar për dhunë në familje.

V.A. (gruaja) ka marrë lëndime pasi është sulmuar para dy ditësh nga bashkëshorti i saj, një major në FSK.

KALLXO.com zbuloi se prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për të dyshuarin ndërsa për ta zbutur situatën, në gjykatore ishte ftuar viktima e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej.

Në procesverbal thuhet edhe se e dëmtuara V. A., bashkëshortja e majorit të FSK-së, A. A., ka kërkuar një masë më të butë për bashkëshortin e saj, ani pse ishte kjo e fundit e cila kishte lajmëruar rastin për dhunë në familje.

Si rrjedhojë e kësaj deklarate të paprecedent, gjykatësi ka vendosur ta refuzojë kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e majorit duke e liruar atë nga paraburgimi.KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga gjykatësi Nexhat Aliu ndërsa në mesin e përgjigjeve ai ka përmendur se ai ‘nuk mund të bëhet më katolik se Papa, por është aty për të pajtuar familjet’.

“Dëgjo të tregoj, ne nuk e kemi thirrë. E ka pas një seancë përpara për dhunë në familje, ne nuk i kemi dërguar as ftesë ka dashtë me ardh, ka dashtë me prezantu edhe ka prezantu, por ne nuk i kemi dërgu ftesë. Po mirë pse unë po t’pyes diçka: A duhet të bëhemi më katolik se Papa, shembull, ajo është gruaja e tij dhe ne nuk jemi me shkatërru familje, jemi për me u mundu me arritë që ata me qenë bashkë prapë”, ka thënë gjykatësi Aliu për KALLXO.com.

Kërkesa e Prokurores së Shtetit Leonora Kadriu për caktimin e masës së sigurisë ishte caktimi i paraburgimit për 30 ditë për veprën penale dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor.

Sipas kërkesës për paraburgim të prokurorisë ndaj majorit të FSK-së, më 01 dhjetor 2019, rreth orës 17:15 minuta, i dyshuari A.A, me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor, ka lënduar bashkëshorten e tij, të dëmtuarën V.A., ashtu që pas një mosmarrëveshje verbale, për motive xhelozie, në prani të fëmijëve, ia merr telefonin nga dora dhe me të e godet në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë, ku pastaj nuk e lejon djalin e tyre që ta dërgojë për tretman mjekësor, por e dërgon vetë, ku gjatë rrugës e kërcënon që të gënjejë se kinse ishte vetëlënduar, për çka edhe e dëmtuara detyrohet të gënjejë se kinse është lënduar në mobile.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, ishte që majori i FSK-së i dyshuar për rrahjen e gruas dhe fëmijëve të tij, të paraqitej në stacion policor çdo të tretën ditë.

Për këtë vendim, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë ankesë edhe në Gjykatën e Gjilanit por edhe në atë të Apelit.

KALLXO.com ka siguruar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan në të cilën thuhet se është bazuar në shkeljet esenciale që kanë ndodhur gjatë seancës si dhe mos aprovimin e kërkesës së prokurores së rastit.

Sipas ankesës së siguruar nga KALLXO.com, Gjykata kishte vendosur që të mos vendos për paraburgimin e majorit, për shkak se i njëjti sipas gjykatës nuk mund të i shmanget procedurës penale pasi që i njëjti punon në FSK.

Gjithashtu prokuroria ka ngritur si çështje edhe rastin që zbuloi KALLXO.com se, e dëmtuara, gruaja e majorit kishte marrë pjesë gjatë gjithë seancës dëgjimore ndaj bashkëshortit të tij i cili dyshohet se e kishte rrahur.

Sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale, nuk përmendet në asnjë nen se e pranishme në seanca dëgjimore duhet të jetë edhe e dëmtuara, në fakt, neni 188 i Kodit të Procedurës Penale thotë qartë se i pranishëm në seancë dëgjimore është trupi gjykues, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij.

Për me tepër, prokurorja e rastit, Leonora Kadriu ka paraqitur në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit edhe se, e dëmtuara (gruaja e majorit të FSK-së), është detyruar që nga frika dhe për siguri të largohet nga shtëpia dhe të vendoset te vëllai i tij së bashku me fëmijët e saj.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me këtë skandal. Madje për këtë rast, KALLXO.com kontaktoi edhe gjyqtarin i cili lejoi të dëmtuarën të jetë pjesë e seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj bashkëshortit të saj.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

“A duhet të bëhemi më katolik se papa”, kjo është përgjigja e gjykatësit Nexhat Aliu kur është pyetur nga gazetarët e KALLXO.com rreth skandalit ku një viktimë e dhunës në familje kërkoi që burri i saj të lirohet nga paraburgimi pas dhunës.

Në përgjigjen për gazetarët gjykatësi ka arsyetuar se nuk janë aty për të prishur familje, por për të rregulluar.

Në shpjegime të tjera gjykatësi ka përsëritur se e dëmtuara ka kërkuar të hyjë brenda seancës.

“Unë të tregova që nuk e kemi thirrë, ka qëlluar rastësisht, sepse nuk e kemi thirrë. Ka qëlluar aty ka pyetur a bon me hy, bon, ka hy edhe ka thënë se po deklaron atë që ka thënë”, shtoi tutje gjykatësi.

Tutje gjykatësi Aliu e pranon se Kodi i Procedurës Penale nuk e lejon viktimën të jetë prezent në seancën dëgjimore.

“Jo, dëgjo, kodi e vërtetë është edhe te rastet e shqyrtimeve gjyqësore nuk e lejon por nga praktikat gjyqësore kaniher i kemi thirrë, sidomos në rastet e komunikacionit, te dhuna, i kemi thirrë, sepse na është thënë edhe nëpër seminare që me këqyr qysh është disponimi edhe i palëve”, shtoi ai.

“Unë kam pasur dilemë se prej prokurorisë lëndët vijnë pak si shpejtë, dhe nuk e kemi ditë se e dëmtuara ku është duke jetuar për momentin. Edhe na ka interesu shumë që po që shembull ne i kishim shqiptuar një masë të arrestit shtëpiak, për mos me dalë katastrofale e dëmtuara në shpi dhe me këtë rast i shqiptojmë masën që me i lanë të dy në shtëpi. E dëmtuara ka ardhur dhe më tha që nuk është e interesuar burrin me dërgu në burg dhe me largu nga puna”, tregoi tutje gjykatësi Aliu.

Skandali i Gjilanit: Gjykatësi ‘nuk mund të bëhem ma katolik se papa’

KALLXO.com raportoi edhe gjatë ditë së djeshme se një major i FSK-së dyshohej për dhunë në familje.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët