Sindikata e Shërbyseve Civilë kërkon anulim të konkurseve

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC), ka mbajtur sot punimet e Kuvendit të III-të, ku ka zgjedhur organet drejtuese si dhe ka nxjerrë disa rekomandime dhe kërkesa për institucionet e vendit.

Ndër kërkesat ishte edhe anulimi i konkurseve për shërbyesit civilë, për t’iu dhënë mundësi atyre në sistemin e brendshëm.

“Me rastin e mundësisë së fuzionimit të institucioneve qeveritare, në mënyrë që shërbyesit civilë të mos preken apo të mos dëmtohen për shkak të interesave të çfarëdo qofshin, që mund të ndërmerren nga akterë të ndryshëm që mund të kenë interesa politike apo grupore”, thuhet në komunikatën e FSSHC-së.

Ndërsa këto janë kërkesat e plota të sindikatës së shërbyesve civilë:

Të respektohen akt-emërimet e shërbyesve civilë, sipas Ligjit nr.03L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, ose sipas Ligjit nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë;

–              Të rishikohen pozitat politike (kabinetet), që e ngarkojnë administratën dhe buxhetin e Kosovës;

–              Të ndërpriten konkurset, për t’u dhënë mundësi shërbyesve civilë në sistemim të brendshëm;

–              Të merren parasysh punonjësit me përvojë më të gjatë në shërbimin civilë, pasi që institucionet kanë bërë investim në ta;

–              Të caktohet kritere të mirëfillta për procesin e fuzionimit dhe transferimit të shërbyesve civilë nëpër institucione;

–              Të rishikohen/zvogëlohen shpenzimet qeveritare dhe të ndahet fond i veçantë për tepricën e punonjësve të mundshëm;

–              Të mundësohet pensionimi i parakohshëm i punonjësve civil, sipas ligjeve në fuqi,  pa u dëmtuar financiarisht për periudhën deri në pensionim të rregullt.

–              FSSHC-ja kërkon që ligjet dhe aktet tjera që e rregullojnë fushëveprimtarinë e shërbyesve civilë të bëhen sa më shpejt të zbatueshme pasi që mungesa e tyre krijon hapësira manipuluese, pakënaqësi dhe defekte në funksionimin e sistemit të administratës shtetërore”.