Si e humbi Biden Ballkanin?

Shtetet e Bashkuara i kanë thelluar angazhimet e tyre ndaj presidentit pothuajse autokratik të Serbisë dhe e kanë riorientuar qëndrimin e tyre rajonal në qendër të prioriteteve të politikës së jashtme të Beogradit.

Nga parashikimet e panumërta në lidhje me ndikimet e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, një nga më të theksuarat në Ballkanin Perëndimor – kufiri tjetër gjeopolitik i madh i Evropës – shpresohej se do t‘i jipte fund iluzioneve perëndimore për mundësinë e akomodimit me regjimet autoritare dhe shoviniste.

Në Sarajevë, Prishtinë dhe Podgoricë, në veçanti, pritja ishte që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian më në fund do ta shihnin regjimin e Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit ashtu qysh në fakt është e vërteta: një shtet satelit i Kremlinit i cili mbjell përçarje përmes një rrjeti përfaqësuesish rajonalë me qëllim të zgjerimit të makinacioneve të veta pothuajse perandorake dhe, në koordinim me Moskën, në tentim të ndalimit të aspiratave të anëtarësimit në NATO dhe BE të Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Dhe, si rezultat i krejt kësaj, më në fund do të kishte pasoja për Beogradin.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në fakt, gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara, më shumë se vetë BE-ja, i kanë thelluar në mënyrë agresive angazhimet e tyre ndaj presidentit gati autokratik të Serbisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë e kanë riorientuar pozicionin e tyre më të gjerë rajonal në qendër të Beogradit dhe në prioritetet e tij të politikës së jashtme. Ndërkohë që në kontekstin ukrainas, administrata Biden insiston në parimin e “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën” – që do të thotë se ukrainasit duhet të përfshihen në çdo gjë dhe në të gjitha negociatat që lidhen me luftën – dhe e ka inkuadruar mbështetjen e saj për Kievin si një shprehje e një axhende më të gjerë pro-demokratike e presidentit të SHBA-së, asnjë parim nuk zbatohet për inkursionet e tij në Ballkanin Perëndimor.

Këtu, ambasadorët e SHBA-së në Sarajevë dhe Beograd takohen me Vuçiqin për t’i diskutuar veprimet e togerit secesionist të presidentit serb Milorad Dodik në Bosnje. Ata e bëjnë këtë duke e marrë si pretendim “rëndësinë e mbështetjes së sovranitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik dhe institucioneve funksionale të nivelit shtetëror [të Bosnjës]” – mirëpo pa praninë e një zyrtari të vetëm boshnjak.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, e kritikon në mënyrë rutinore qeverinë të Kosovës për atë që ai pretendon se është dështimi i saj për t’iu përmbajtur Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 – e cila kishte për qëllim ta krijonte një rrugë drejt njohjes reciproke dhe normalizimit diplomatik midis dy shteteve – për kënaqësinë e tabloidëve famëkeq të regjimit të Serbisë. Hill ka jo shumë për të thënë, megjithatë, poaq pak ka për të thënë edhe për refuzimin e Serbisë për t’i realizuar dispozitat thelbësore të asaj marrëveshjeje dhe disa më të fundit. Në fakt, Beogradi është aq jobashkëpunues në lidhje me Kosovën, saqë marrëveshja e fundit Brukselit në Ohër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për ta (ri)filluar procesin e normalizimit, e pa Vuçiqin teksa refuzonte të nënshkruante madje edhe dokumentin. Në vend të kësaj, ai pretendoi se kishte rënë dakord verbalisht me të, por më pas e bëri të qartë brenda disa orësh se nuk e ka ndërmend ta respektojë asnjë aspekt të atij dokumenti.

Ndërkohë, në Mal të Zi, Shtetet e Bashkuara janë shfaqur si patroni kryesor i huaj, së bashku me Serbinë, i një koalicioni heterodoks të supozuar reformatorësh, anëtarët më të rëndësishëm të të cilit janë një bllok i partive nacionaliste dhe klerikaliste serbe, të cilat edhe Uashingtoni i njeh si drejtpërdrejt në  listën e pagave të Rusisë. Presidenti i ardhshëm i vendit, Jakov Milatoviq, është paraqitur si një i moderuar pro-evropian dhe partia e tij e sapoformuar, Evropa Tani, parashikohet gjerësisht të dominojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në muajin qershor.

Mirëpo Milatoviq ka shërbyer më parë si ministër i zhvillimit ekonomik në kabinetin jetëshkurtër të Zdravko Krivokapiqit, një nacionalist serb i linjës së ashpër me lidhje të ngushta si me Beogradin ashtu edhe me Moskën. Kur qeveria e Krivokapiqit u rrëzua në vitin 2022, Milatoviq u zëvendësua në një pozitë afatshkurtër. Fushata e tij e mëvonshme presidenciale u mbështet nga tërësia e institucionit nacionalist serb në Mal të Zi dhe madje edhe nga kriminelët e dënuar serbë të luftës si Vojisllav Sheshel. Kur erdhi koha që mbështetësit e tij ta festonin fitoren e tij eventuale, ata e bënë këtë me një predominim të flamujve serbë dhe himneve sektare për Kosovën.

Pse Uashingtoni e ka gjetur veten në një ligë me Beogradin? Nuk është e vështirë të shpjegohet, por është një politikë krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin e administratës Biden ndaj Ukrainës. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, administrata Biden e pranoi saktë se situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishte bërë e paqëndrueshme. Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi ishin pikat më të mundshme të provokimit të një konflikti, të cilat të gjitha mund të kooptoheshin lehtësisht nga Moska për ta krijuar një front të dytë proverbial në Evropë – ndoshta jo në kuptimin kinetik, por sigurisht politikisht. Si i tillë, ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara ta mbyllnin shpejt Ballkanin Perëndimor pas dy dekadash që ia kishin lënë kryesisht administrimin e rajonit Brukselit – me rezultate katastrofale.

Për ta arritur këtë, Departamenti i Shtetit Biden, sipas të dhënave publike, ka arritur në përfundimin se ka nevojë për partnerë që mund t’i përmbushin premtimet e tyre. Në Ballkanin Perëndimor, kjo përgjithësisht do të thotë të mbështetesh në regjimet më pak pluraliste në rajon. Siç ka vërejtur Majda Ruge, anëtare e lartë e politikës në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë: “Qeveritë perëndimore e trajtojnë vazhdimisht Beogradin si lojtarin e domosdoshëm në çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Cilado qoftë çështja në fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është personi i parë që ata thërrasin. Një pjesë e kësaj është e kuptueshme: pushteti në Serbi është i përqendruar tek Vuçiqi, i cili e ka grumbulluar një kontroll të konsiderueshëm olitik për veten e tij.

Kjo gjithashtu, nënkupton, anashkalim i mënjëhershëm i Sarajevës, Prishtinës dhe Podgoricës, pavarësisht se të treja janë dukshëm properëndimorë në orientim dhe Mali i Zi është një vend anëtar i NATO-s. Kjo është për shkak se politika e të tri shteteve nga brenda është shumë e përçarë, kryesisht për shkak të ndërhyrjes direkte të fuqive të jashtme: Serbisë, para së gjithash, por edhe Kroacisë, të paktën në rastin e Bosnjës. Me sa duket, administrata e Biden beson se paqja në Ballkan kërkon përqendrimin e interesave të të fortëve mbi të dobëtit, duke i përqendruar interesat e atyre që kanë më shumë gjasa të krijojnë paqëndrueshmëri mbi ata që kërkojnë të mbrohen.

Është lloji i llogaritjes realpolitike që ka nxitur dekada të politikës së SHBA-së në rajone të paqëndrueshme. Është ajo që Uashingtoni është përpjekur ta bëjë me Pakistanin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe madje edhe Rusinë në vite më parë. Rekordi flet vetë. Siç vë në dukje Daniel Serwer, një ish-diplomat amerikan dhe studiues i politikës së jashtme, muajin e kaluar, “analiza bazë” e atyre që i shtyjnë përpara këto politika “është e gabuar”. Tutje Serwer thotë: “Ata janë mbështetur te Serbia si shteti kryesor në rajon për të sjellë stabilitet, në bashkëpunim me Kroacinë dhe Shqipërinë. Por Serbia është një fuqi revizioniste. Ajo dëshiron t’i qeverisë të gjithë serbët në rajon. Kroacia dhe Shqipëria kanë ambicie më të vogla, por në të njëjtin drejtim: t’i kontrollojnë bashkatdhetarët e tyre në Bosnjën dhe Kosovën fqinje”. Deri në çfarë mase Shqipëria është pjesë e këtij triumvirati, mbetet e diskutueshme, por pak vëzhgues të sprovuar e vënë në dyshim qendrën e Serbisë dhe Kroacisë në skemë.

Megjithatë, problemi i vërtetë është se edhe nëse administrata Biden do t’i rishikonte politikat e saj, është e paqartë nëse kjo do të bënte shumë ndryshim në këtë moment. Hapat e gabuar të presidentit amerikan Joe Biden në rajon kanë qenë aq të rëndësishëm saqë ai mund të mos jetë në gjendje ta shpëtojë reputacionin e tij në mesin e komuniteteve më të prekura nga vendimet e tij, të cilat gjithashtu ndodhin të jenë popullatat më pro-amerikane në rajon.  Ky është veçanërisht rasti në Bosnje, ku roli autorial i Uashingtonit në manipulimin e pacipë, joliberal dhe partizan nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në emër të nacionalistëve kroat HDZ BiH dhe partnerëve të tij në SNSD-në e secesionistit Dodik, e ka reduktuar besimin në Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët të pasluftës.

Me sa duket, megjithatë, as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk janë të shqetësuar lidhur me këtë. Më 27 prill, Shtetet e Bashkuara e mbështetën përsëri një raund të dytë të ndryshimeve kushtetuese demokratikisht të dyshimta në entitetin e Federatës së Bosnjës pas dështimit të ndryshimeve fillestare të Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt nga 2 tetor 2022 – të vendosura vetëm disa minuta pasi qendrat e votimit ishin mbyllur në zgjedhjet e përgjithshme të vendit Bosnjës për të prodhuar rezultatin e tyre të dëshiruar (d.m.th., një qeveri e dominuar nga HDZ BiH). Çdo pretendim në drejtim të realizimit të reformave të qëndrueshme, demokratike, liberale në Bosnje (dhe kushtetutën e saj të hartuar nga SHBA) është avulluar. Uashingtoni tani po vepron thjesht në interes të angazhimeve të tij ndaj Beogradit dhe Zagrebit dhe si rrjedhim interesave politike të përfaqësuesve të tyre përkatës boshnjakë dhe rajonalë.

Në një kthesë historike e të çuditshme, nëse ekipi i Biden pendohet për qëndrimin e tij ndaj Ballkanit, kjo do të jetë, të paktën në afat të shkurtër, për shkak të realiteteve elektorale të SHBA-së. Xhepat e vegjël por elektoralisht të rëndësishëm të amerikanëve boshnjakë, për shembull, në shtetet e luhatshme, të tilla si Gjeorgjia, Miçigani, Karolina e Veriut dhe Arizona, ndër të tjera, janë mjaftueshëm të shumta për t’ia hedhur kandidatit republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. Që nga viti 2015, për shembull, rreth 10,000 boshnjakë jetonin në shtetin amerikan të Gjeorgjisë, të cilin Biden e fitoi me më pak se 12,000 vota në vitin 2020. Ka një numër të ngjashëm boshnjakësh në Karolinën e Veriut. Në Michigan, i cili ka një numër të përafërt të amerikanëve boshnjakë në shtet, guvernatori Gretchen Whitmer e shpalli 1 Marsin si “Ditën e Boshnjakëve të Amerikës”. Vetëm qyteti i Phoenix, Arizona, ka pranuar rreth 7,000 refugjatë boshnjakë gjatë viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, dhe që atëherë ky komunitet është rritur ndjeshëm. Të gjitha këto shifra janë në krye të rreth 50,000 deri në 70,000 boshnjako-amerikanëve që jetojnë vetëm në zonën më të madhe të St. Louis në shtetin e Misurit.

Republikanët nuk kanë gjasa t’i përmbushin interesat esenciale të këtyre votuesve në lidhje me prioritetet e tyre rajonale (pavarësisht nga kampionët e fortë të komunitetit, të tillë si Rep. Ann ëagner i Misurit). Por duke folur me udhëheqësit e komunitetit boshnjak-amerikan në të gjithë vendin, ndjenja e tradhtisë në kthesën e Bidenit ndaj Bosnjës dhe Ballkanit është e dukshme. Boshnjakët nuk kanë nevojë t’i votojnë republikanët për t’i pakësuar shanset e Biden për rizgjedhje. Mjafton që ata vetëm të qëndrojnë në shtëpi.

Megjithatë, kjo do të jetë ngushëllim i ftohtë për ato popullsi rajonale të cenueshme që tani janë lënë në mëshirën e qeverive nacionaliste në Serbi dhe Kroaci dhe në mëshirë të krejt kujtesës historike dhe politike që vjen me primatin e tyre të rinovuar. Si shpeshherë më parë në Ballkanin Perëndimor, premtimet e mëdha ideologjike të epokës sonë – në këtë rast, shpresa e një angazhimi kategorik, normativ të Perëndimit politik për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtën e kombeve të vogla për të qenë të lirë – janë shndërruar në hi. Dikush duhet të udhëtojë vetëm më pak se 1000 km në jugperëndim të Buchas, Ukrainë, për t’i gjetur Shtetet e Bashkuara teksa lëvizin dhe përballen me përfaqësuesit e njohur rusë në emër të stabilitetit bosh dhe mizor./Foreign Policy

Përgatiti: Nuhi Shala