Shtyhet vendimi për policin e arrestuar dje në veri

Gjykata një Prishtinë ka shtyrë për nesër vendimin lidhur me masën e sigurisë për Rade Basara, pjesëtar i Policisë së Kosovës i arrestuar dje gjatë një aksioni të madh në veri të Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Vendimi do të merret nesër”, tha shkurt ajo.

Dje në orët e para të mëngjesit u zhvillua një aksion në veri të vendit ku u arrestuan dy persona, njëri ndër ta edhe Rade Basara.

Ai sot doli para Gjykatës Themelore të Prishtinës si i dyshuar për fshehjen e provave në rastin e vrasjes së Oliver Ivonaviqit.

Seanca për caktimin e masë së sigurisë ndaj tij është mbajtur me dyer të mbyllura.

Avokati i policit të arrestuar, Basara, Faruk Korenica ka thënë pas seancës se klienti i tij nuk ndihet fajtor për pretendimet e Prokurorisë.

“Ai po dyshohet për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai ka deklaruar se nuk e ka kryer atë vepër penale. E ka mohuar”, ka thënë ai për KALLXO.com.

“Oliver Ovanoviq është vrarë para 21 muajve (Janar 2018) dhe ndërkohë janë dëgjuar shumë dëshmitarë dhe janë grumbulluar provat dhe pas 21 muajve dikujt po i bije në mend me thanë edhe ti ke tentuar me i fshehë provat me i eliminu e me fshehë rastin. Në kërkesën e arsyetimit nuk përmendet emri Rade Basara”, ka deklaruar Avokati Korenica.

Vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, bëri që policia me njësitë elite të saj t`ia mësyjnë edhe gjatë ditës së djeshme veriut të Kosovës.

Dy zyrtarë policorë ishin cak i policisë mëngjesin e djeshëm, ku sipas prokurorit special Sylë Hoxha, të njëjtit po dyshohen për fshehjen e provave dhe krim të organizuar.

Rade Basara tashmë është duke u përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, ndërsa zyrtari tjetër policor Zhelko Bojiq nuk është gjetur gjatë aksionit të djeshëm dhe është në kërkim nga organet e rendit.

KALLXO.com kishte raportuar se i dyshuari tjetër, Bojiq edhe më herët ishte i njohur për Policinë dhe Prokurorinë

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë gjenden dy lëndë ku Bojiq është i dyshuar për kryerje të veprave të ndryshme penale.

Në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Prokurorie madje gjendet një rast që prej vitit 2012, kur EULEX-i kishe ngritur propozim akuzues, nën dyshimin se Bojiq kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Gjithashtu ai dyshohet edhe për dy vepra penale (në bashkëkryerje), “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Njësia Speciale në veri – Arrestime për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

www.kallxo.com