Ilustrim

Shtyhet seanca në gjykimin për mërgimtarin që akuzohet që kanosi biznesmenin dhe ish-komandatin e FSK-së

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar seanca gjyqësore për rastin në të cilin mërgimtari Rifat Canolli po akuzohet për kanosje serioze ndaj biznesmenit Eroll Pushkolli dhe ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati.

Deri tek dështimi ka ardhur sipasojë e mungesës së ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, i cili në këtë gjykim ka cilësi të dyfishtë, atë të të dëmtuarit dhe të dëshmitarit.

“I dëmtuari-dëshmitari, Kadri Kastrati e ka njoftuar gjykatën me e-mail se nuk është mirë me shëndet dhe sapo është liruar nga spitali QKUK, përkatësisht më datë 15 janar 2024” – ka njoftuar gjykatësi Artan Sefullahu.

Mëtutje ai e pyeti prokuroren Luljeta Bilalli se a qëndron pranë propozimit që Kadri Kastrati të dëgjohet si dëshmitar.

“Po të dëgjohet si dëshmitar Kadri Kastrati” – tha prokurorja Luljeta Bilalli.

“Meqenëse duhet të dëgjohet si dëshmitar, atëherë gjykata merr aktvendim që seanca të shtyhet në afat të pacaktuar” – tha gjyqtari Artan Sefullahu.

Gjyqtari shpjegoi se shtyrja në afat të pacaktuar është sepse ai do të kalojë në Departamentin e Krimeve të Rënda nga 1 shkurti dhe deri me 31 janar nuk e ka asnjë termin të lirë për seancë.

Të pranishëm ishin i akuzuari Rifat Canolli dhe avokati i tij Blerim Cakolli.

Ndërkohë që objekt i këtij shqyrtimi ishte kanosja, palët njëkohësisht ndodhen edhe në kontest civil lidhur me mosmarrëveshjet rreth ndërtimit të një objekti banesor që ishte paraparë të ndërtohej në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Çka thotë aktakuza?

Në aktakuzën e ngritur nga prokurorja Ajshe Ferati në vitin 2019, Rifat Canolli paraqitet edhe si i dëmtuar edhe si i pandehur.

Aty akuzoheshin Kadri Kastrati dhe Rifat Canolli. Ndaj të dyve rëndonte pretendimi për kanosje.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, Kadri Kastrati në mars të vitit 2019 kishte kanosur seriozisht Rifat Canollin rreth ndërtimit të një objekti banesor në lagjen “Kalabria” (ish-Emshir).

Aty thuhet se Kadri Kastrati madje i kishte shkuar në shtëpi Rifat Canollit, i cili nuk kishte qenë prezent, andaj Kadri Kastrati i ishte drejtuar nipit të tij duke i thënë: “Thuj Rifatit se nëse del para gazetarëve dhe flet për mua diçka kam me e zhdukë prej faqes së dheut”.

Aktakuza më tutje përshkruan veprimet që e inkriminojnë të pandehurin Rifat Canolli.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në fund të muajit gusht të vitit 2019 i pandehuri ka kanosur seriozisht Kadri Kastratin dhe Eroll Pushkollin po për të njëjtin objekt banesor gjersa ishte duke folur me Halil Musën.

Gjithnjë sipas prokurorisë, Rifat Canolli ishte shprehur: “Jam kthyer nga Zvicra për ta prish nënshtetësinë e Kosovës, se do t’i vras gjeneralin Kadri Kastrati dhe biznesmenin Eroll Pushkolli, e pastaj do të shkoj t’i dorëzohen Ambasadës së Zvicrës, të cilët do të më dorëzojnë në Zvicër dhe atje nuk do të përgjigjem për veprën që do ta kryej”.

Të dy këto kanosje pretendohet të kenë shkaktuar ankth, frikë e pasiguri te të dëmtuarit.

Vendimi paraprak i gjykatës

Prokuroria e Prishtinës kur e kishte paraqitur aktakuzën ia kishte bashgjëngjitur kërkesën për dhënie të urdhërit ndëshkimor me gjobë pa mbajtjen e shqyrtimit.

Gjykata e Prishtinës i kishte gjetur fajtorë dy të pandehurit dhe i kishte gjobitur me nga 300 euro.

Kadri Kastrati nuk e kishte kundërshtuar aktgjykimin.

Rifat Canolli, duke mos u ndjerë fajtor për akuzat, kishte paraqitur kundërshtim ndaj dënimit të shqiptuar duke kërkuar kështu vërtetim të gjendjes në seanca të rregullta gjyqësore.