Shtetasi i Serbisë e sulmon policin e Kosovës në Jarinjë, reagon Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë

Një shtetas i Serbisë ka sulmuar sot fizikisht një polic të Kosovës. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Jarinjë sot rreth orës 16:30.

Lidhur me rastin ka reaguar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, e cila përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se personi i përfshirë në incident është Nikolla Todoroviq, me profesion mjek.

Sipas komunikatës, Todoroviq ishte ndaluar sot në Jarinje teksa ishte duke udhëtuar me fëmijët e mitur për në Kosovë.

“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë ndaluar për shkak të mungesës së dokumentacionit për fëmijët, i kanë nxjerrë fëmijët nga vetura dhe para tyre e kanë ngacmuar Todoroviqin, dhe kur ai i ka kundërshtuar ata e kanë marrë në mbajtje”- thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.

Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë thotë se ka siguruar një avokat për të arrestuarin Todoroviq, teksa konsideron se ky është “një rast tjetër i torturës nga Policia e Kosovës, e cila çdo ditë kërkon justifikime për të mallretuar dhe ndaluar serbë”.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës njofton se shtetasit të Serbisë nuk i është lejuar hyrja në Kosovë për shkak se nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm.

Pas refuzimit për hyrjes në territorin e Kosovës, i dyshuari N.T. (viti i lindjes 1981, shtetas i Serbisë) ka filluar të fyejë zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në pikën kufitare.

“Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor” – thuhet në njoftim të Policisë.

Për rastin është njoftuar prokurori dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti sulm ndaj personit zyrtar dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.

Shtetasi i Serbisë e sulmon policin e Kosovës në Jarinjë, i shkakton lëndime trupore