Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni

Shqipëria do të pranojë jo më shumë se 3,000 emigrantë sipas marrëveshjes me Italinë

Shqipëria nuk do të mbajë më shumë se 3,000 emigrantë në çdo kohë sipas një marrëveshjeje të shpallur këtë javë që lejon Italinë të ndërtojë atje dy kampe për pritjen dhe përqendrimin e emigrantëve, treguan dokumentet zyrtare të mërkurën, shkruan Reuters.

Marrëveshja italiano-shqiptare është shembulli i parë i një vendi jo anëtar të BE-së që pranon emigrantë në emër të një vendi anëtar të BE-së dhe është pjesë e një fushate në mbarë bllokun për të shtypur imigrimin e parregullt.

Marrëveshja ka tërhequr kritika nga Amnesty International dhe grupe të tjera të të drejtave.

“Palët bien dakord që numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në të njëjtën kohë në territorin shqiptar nuk mund të jetë më shumë se 3000” – thuhet në një marrëveshje italiano-shqiptare, sipas një kopjeje të parë nga Reuters dhe media të tjera.

Shifra krahasohet me më shumë se 145,000 emigrantë detarë që kanë mbërritur në Itali deri më tani këtë vit, një rritje e konsiderueshme nga viti 2022, të cilën qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni dëshiron ta përmbajë.

Duke njoftuar marrëveshjen me Shqipërinë të hënën, Meloni tha se deri në 36,000 emigrantë në vit mund të kalojnë nëpër kampet shqiptare, por arritja e këtij qëllimi varet nga sa shpejt Italia mund të përpunojë kërkesat për azil.

Meloni tha se qëllimi është që të shqyrtohen rastet brenda 28 ditëve, por ekspertët kanë theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për t’i përmirësuar ato, procedurat mbetën të përfshira në burokraci.

Ekspertët vunë në dukje gjithashtu se riatdhesimi i aplikantëve të ngecur është i vështirë, duke pasur parasysh mungesën e marrëveshjeve të kthimit me vendet e origjinës së emigrantëve. Në vitin e deritanishëm, Italia ka riatdhesuar pak më pak se 4,000 njerëz.

Kampet do të funksionojnë nën pushtetin italian dhe duhet të hapen në pranverën e vitit 2024. Marrëveshja thotë se Italia do ta mbrojë Shqipërinë nga çdo shpenzim nga veprimet ligjore kundër nismës.

Italia po planifikon një objekt në portin shqiptar të Shëngjinit për zbarkim dhe identifikim dhe një objekt të dytë në brendësi për përqendrim. Ata do të plotësohen me personel italian.

Objektet janë më shumë se 1,000 kilometra nga Lampedusa, ishullit ku aktualisht zbarkojnë shumica e emigrantëve detarë të nisur nga Italia. Shpërngulja e tyre në Shqipëri përmes rrugës detare do të merrte të paktën dy ose tre ditë.

Meloni tha se gratë shtatzëna, të miturit dhe personat e tjerë të cenueshëm nuk do të dërgoheshin në Shqipëri, por nuk është e qartë nëse kjo mund të rezultojë në ndarjen e burrave nga pjesa tjetër e familjeve të tyre./Reuters

Përgatiti: Hatixhe Zeqiri