Shqipëri, sekuestrohet pasuria e biznesmenit me dyshimin se rrjedhin nga trafiku i drogës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit, së bashku me aksionet e dy kompanive që menaxhojnë televizionet “Ora News” dhe “Channel One” në pronësi të tij.

 

Përmes një njoftimi për shtyp, SPAK deklaroi se Ylli Ndroqi alias Xhemail Pasmaçiu është subjekt i ligjit “Antimafia” dhe se “perandoria” e biznesit të tij dyshohet se i ka rrënjët tek përfshirja në të shkuarën në trafikun e drogës në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

“Ekzistojnë prova konkrete se [pasuritë ] janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Avokatët e Ylli Ndroqit paralajmëruan apelimin e vendimit, ndërsa e konsideruan vendimin e sekuestrimit “një sulm politik” gjatë një prononcimi për Ora News.

“Pasuria e z. Ndroqi është e krijuar nga burime të ligjshme dhe këtë do ta provojë në të gjitha shkallët e Apelit. Pasuria është krijuar nga aktiviteti i shoqërive të tij dhe nga kreditë bankare,” tha përfaqësuesi i tij ligjor. “Ai mendon se është një sulm politik, për shkak të gjyqit tjetër që po zhvillohet me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Në vazhdim do të tregojmë se si do të vazhdojnë ngjarjet,” shtoi avokati.

Hetimi pasuror për Ylli Ndroqin është regjistruar më 21 korrik 2020 në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit. Ndërsa më 1 gusht, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e 10 pasurive të patundshme, 5 automjeteve luksoze, mes të cilave dy me targa diplomatike, si dhe aksionet e 11 kompanive në pronësi të Ylli Ndroqit dhe bashkëshortes së tij, Mimoza Ndroqi.

Precedentët penalë të Ylli Ndroqit janë të hershëm dhe pavarësisht një urdhër-arresti të lëshuar nga Italia në vitin 2006, ai ka vazhduar i patrazuar për më shumë se një dekadë aktivitetet e tij të biznesit në Shqipëri.

Sipas SPAK, Ndroqi –i njohur më parë me emrin Xhemail Pasmaçiu është arrestuar në shtator 1998 në Turqi në kuadër të operacionit “ESAS” për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 30.5 kg heroinë si dhe janë arrestuar përveç tij edhe Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar dhe Abdulselam Yunus.

Ndërsa në vitin 2004, autoritetet italiane e kanë referuar Ndroqin tek autoritetet gjyqësore si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

SPAK thotë në njoftimin për shtyp se Ylli Ndoqi u arrestua në shkurt të vitit 2015 bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos, pa sqaruar detaje mbi fatin e mëtejshëm të këtij arrestimi.

Prokuroria e Posaçme e ka motivuar urdhrin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit me dyshimin se pasuritë e tij janë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale, se nuk justifikohen me burime të ligjshme dhe se ekziston rreziku për humbjen e tyre përmes transferimit tek persona të tjerë.

Gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për administrimin e pasurive të Ndroqit, ndërsa shoqëritë me aktivitet, përfshi edhe mediat televizive “Ora News” dhe “Channel One” do të vazhdojnë aktivitetin, gjithashtu të administruara nga Agjencia.

Pasuritë e sekuestruara

  1. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 117 m 2 , me adresë, Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës.
  2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
  3. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 600 m 2 , mbi të cilën ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 90 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
  4. Pasuria e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 43.7 m 2 , me adresë, Tiranë.
  5. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe totale 67.3 m 2 , me adresë, Tiranë.
  6. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 15 m 2 , me adresë, Tiranë.
  7. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.
  8. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 2026 m 2 , me adresë, Mullet, Tiranë.
  9. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 52.3 m 2 , me adresë, Rruga ″Qemal Stafa″, Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen Mimoza Ndroqi
  10. Pasuria e llojit pyll, me sipërfaqe totale 100 000 m 2 , me adresë, Lanabregas, Tiranë.
  11. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa AA 007 YN, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  12. Automjeti i tipit autoveturë, marka BMW, modeli 760LI, ngjyra e zezë, me targa AA 007 AV, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  13. Automjeti i tipit autoveturë, marka Land Rover, modeli Range Rover Vogue, ngjyra e zezë, me targa CD 6902 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  14. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa CD 6901 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
  15. Automjeti i tipit autoveturë, marka RollsRoyce, modeli PHANTOM, ngjyra e zezë, ma targë AA 001 YN, në pronësi të shtetases Mimoza Ndroqi.
  16. Sekuestrimin e masës prej 51% të kuotave të shoqërisë ″Landon″ sh.p.k., me NIPT K92226004H, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  17. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “YLDON” sh.p.k., me NIPT K31618007S, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  18. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “RENDON OIL″ sh.p.k., me NIPT L57716501I.
  19. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “DON – UCD” sh.p.k., me NIPT L51326022D, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  20. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″Ecogades Landon Balcan″ sh.a., me NIPT L22006005S, me aksioner shoqërinë ″Landon″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.
  21. Sekuestrimin e masës prej 30% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″CHANNEL ONE″ sh.p.k., me NIPT K12412002L, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  22. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″P S 31″ sh.p.k., me NIPT L42215016R, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  23. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″INTERKINEX″ sh.p.k., me NIPT J71506006T, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.
  24. Sekuestrimin e masës prej 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″ORA″ sh.a., me NIPT K71505003O, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases Mimoza Ndroqi.
  25. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″REN-DON″ sh.p.k., me NIPT L41622002A, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
  26. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″ALBANIA BAY MARINE″ sh.p.k., me NIPT L61307081M, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi./Reporter.al