Shqipe Mjekiqi Sadiku konfirmon dorëheqjen nga pozita e nënkryetares së LDK-së

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi Sadiku ka konfirmuar raportimet e disa ditëve më parë se ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Mjekiqi Sadiku ka konfirmuar sot se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.

Mjekiqi thotë se hapësira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që ajo mbante.

“Fatkeqësisht, hapësira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses. Vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës”- është shprehur ish nënkryetarja e LDK-së.

Në postimin e saj, ajo ka fealenderuar nënkryetarët e tjerë të partisë, kryesinë e strukturat, por nuk ka përmendur fare kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun.

“Falënderoj nënkryetarët tjerë, anëtarët e Kryesisë si dhe gjithë strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen. Po ashtu, falënderoj familjen time dhe miqtë e shumtë pa përkrahjen e të cilëve ky rrugëtim, sado i shkurtër, do të ishte i pamundshëm”- shkruan Mjekiqi.

LDK-ja e kishte zgjedhur Shqipe Mjekiqin nënkryetare në mars të vitit 2021 së bashku me Anton Qunin, Gazmend Muhaxherin dhe Lutfi Hazirin.