Ilustrim.

Shpërndau në rrjete sociale video me përmbajtjeje abuzive seksuale të fëmijëve, arrestohet 34-vjeçari

Dje është arrestuar një 34 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kishte poseduar disa fotografi dhe video me përmbajtjeje abuzive seksuale të fëmijëve, të cilat më pas i kishte shpërndarë te personat e tjerë përmes rrjetit social Facebook dhe aplikacionit Whatsapp.

I dyshuari pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

Policia tutje ka njoftuar se një dukuri e tillë negative e shfaqur në vendin tonë dhe më gjerë, e cila ka të bëj me materialet me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në internet është tepër shqetësuese.

“Persona të ndryshëm, kryesisht të moshave të reja, i shpërndajnë këto materiale që përmbajnë video dhe fotografi ku abuzohen seksualisht fëmijët e paidentifikuar. Këto fotografi dhe video i shpërndajnë përmes rrjeteve të ndryshme sociale Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok”, ka thënë Policia.

Policia ka njoftuar gjithashtu edhe për dënimet që mund të merren nëse kyehet një vepër e tillë penale.

“Një veprim i tillë është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku dënimi është nga një vit burg deri në 15 vite, varësisht nga forma e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Të njëjtët kanë treguar dhe nenet të cilat janë të parapara për dënim të kësaj vepre në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

  • kushdo që prodhon video apo fotografi duke abuzuar seksualisht fëmijët ose përdor apo përfshin fëmijën për krijimin ose për prodhimin e shfaqjeve të gjalla, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.
  • kushdo që shet, shpërndan, promovon, shfaq, transmeton, ofron ose e vë në dispozicion videot apo fotografitë duke u abuzuar seksualisht fëmijët, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
  • kushdo që siguron për vetveten apo personin tjetër ose posedon video apo fotografi duke abuzuar seksualisht fëmijët, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
  • Gjithashtu, edhe tentativa për të kryer vepër penale nga ky nen është e dënueshme.

Policia i ka bërë thirrje prindërve që të kujdesen për fëmijët e tyre se çfarë materialesh posedojnë në telefonat dhe pajisjet e tjera kompjuterike dhe njëkohësisht kanë ftuar qytetarët që të raportojnë secilin rast të tillë në mënyrë që të mbrohen fëmijët nga një dukuri e tillë.