Harta e Iranit

Shërbimet amerikane të zbulimit: Shteti Islamik në Afganistan përgjegjës për shpërthimet në Iran

Informacionet e zbulimi mbledhur nga Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se dega e organizatës terroriste Shteti Islamik në Afganistan, kreu dy sulmet me bomba në Iran që lanë afro 100 të vdekur, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters të premten dy burime me dijeni për informacionin e mbledhur nga shërbimet e zbulimit.

“Përfundimet e zbulimit janë të qarta dhe të pakontestueshme,” tha njëri nga burimet.

Ky burim i informacionit dhe një burim tjetër, që folën me kusht që të mos u zbulohej identiteti, thonë se ky përfundim u arrit nga komunikimet e kapura nga zbulimi amerikan, por ata nuk dhanë detaje të tjera.

Zyrtarët amerikanë u thanë mediave amerikane të enjten se shpërthimet në Iran në ceremoninë përkujtimore të organizuar për komandantin e Gardës Iraniane Qassem Soleimani kishin shenjat e një “sulmi terrorist” të llojit që Shteti Islamik kishte kryent në të kaluarën. Por deri tani nuk ishte njoftuar për informacione të siguruara zbulimi.

Shteti Islamik mori të enjten përgjegjesinë për shpërthimet përmes një deklarate të bërë në platformën Telegram.

Ceremonia në Iran ishte organizuar për të përkujtuar Qassem Soleimanin, të vrarë me dron në vitin 2020 në Irak, me urdhërin e Presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump./VOA