Foto: Facebook, UNMIK

Shefja e UNMIK-ut shpreh mbështetje për popullin e Kosovës

Ka arritur në Kosovë përfaqësuesja e re e Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë dhe shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Shefja e UNIMIK-ut, ka shprehur mbështetje për institucionet dhe popullin e Kosovës në realizimin e një të ardhmeje më paqësore.

“Pres me padurim të angazhohem me autoritetet e Kosovës dhe shoqërinë civile, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në Kosovë dhe rajon”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera ajo është shprehur se UNMIK-u do të mbetet i palëkundur në mbështetje ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

“UNMIK-u do të mbetet i palëkundur në mbështetje ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë,” tha Ziadeh.

Në lidhje me ardhjen e saj ka njoftuar UNIMIK-u përmes një njoftimi për media.

“Znj. Ziadeh sjell me vete një përvojë gati 30-vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare me njohuri të gjerë të Kombeve të Bashkuara ku udhëhoqi delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për ҫështje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, agjendën mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe migrimin”, thuhet në njoftim.

UNMIK-u ka njoftuar se Ziadeh  flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht.