Foto nga media serbe Kurir.rs

Shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd nuk lejohet t’i vizitojë policët e kidnapuar

Tre zyrtarët policorë të Kosovës janë kidnapuar të mërkurën nga autoritetet e Serbisë, derisa Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ende nuk dihet vendndodhja e tyre.

Një vizitë tek këta policë u tentua të bëhet të enjten nga Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, por kjo vizitë nuk u lejua.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë raportimit para deputetëve për situatën e krijuar pas kidnapimit të zyrtarëve policorë.

Kurti ka thënë se Jashari ka kontaktuar me misionin e Bashkimit Evropian në Serbi, me ambasadorët e QUINT dhe me organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, e po ashtu Kurti ka thënë se ai iu është drejtuar edhe Gjykatës me kërkesë për vizitë.

“Mirëpo kërkesa nuk është trajtuar për shkak se ende nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit në paraburgim nën arrest të tre policëve tanë” – ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se deri në 48 orë rasti ndodhet përbrenda kompetencës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkaq vetëm më pas del tek gjyqësori, te Ministria e Drejtësisë.

Ndër të tjera Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kontaktuar për këtë çështje me qendrat evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe organizatat ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp tregoi se SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Thirrje për lirimin e policëve të Kosovës të kidnapuar nga Serbia ka bërë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në seancën e sotme Kurti gjithashtu ka deklaruar se ende janë në pritje që KFOR-i të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar.

Kurti u shpreh se KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte mandat edhe ta parandalonte.

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka konfirmuar  se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë kidnapuar nga autoritetet serbe.

Sot u njoftua se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, e gjithashtu në mëngjesin e së enjten u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Përderisa në mbrëmje, kryeministri Kurti pati një takim informues edhe me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Kurti i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që sipas Zyrës së Kryeministrit dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.