Shefi i UNIMK-ut: Qeveria e re duhet t’i largojë pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për situatën në Kosovë, ka thënë se zgjedhjet e reja duhet të tregojnë një gatishmëri për vazhdimin e dialogut më Serbinë.

Ai para anëtarëve të këtij Këshilli ka thënë se zgjedhjet e mbajtura në Kosovë kanë shënuar një ndryshim të madh të politikës kosovare.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë me 6 tetor, ku iu dha mundësia qytetarëve të këtij vendi që të zgjedhin udhëheqësit e tyre, ka shënuar një ndryshim të rëndësishme në politikën kosovare në krahasim me 10 vitet e fundit”, ka thënë Tanin.

Tutje ai tha se vendimi për zgjedhje të parakohshme erdhi në kohë të vështirë të ndasisë politike, “unitetit të prishur të koalicionit qeverisës dhe çka është më e rëndësishmja, me perceptimin e qytetarëve për paaftësinë e realizimit të premtimeve që iu patën dhënë popullit të Kosovës”.

Shefi i UNMIK-ut përmendi edhe koalicionin e mundshëm mes VV-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje.

“Rezultatet preliminare tregojnë një fitore të opozitës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë duke biseduar për një koalicion të mundshëm. Ky ndryshim në politikën kosovare u manifestua me mbështetjen e  kandidatëve,  të cilët nuk e ndanin vizionin apo të kaluarën e njëjtë politike më liderët e më parmë”, tha Tanin.

Megjithatë Tanin tha se pret që nga Qeveria e re të largohen pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Shpresoj që liderët e rinj të përdorin momentin e zgjedhjeve që të mbushin premtimet e tyre që të forcojnë rregullin dhe ligjin, të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe papunësinë. Po ashtu shpresoj që liderët e rinj të tregojnë gatishmëri për vazhdimin e negociatave me Serbinë dhe të sigurojnë që pengesat për vazhdimin e dialogut janë hequr. Përpjekje të veçanta duhet të bëhen për të siguruar që retorika politike dhe veprimet të jenë të favorshme për rifillimin dhe përparimin në dialog pas një viti negociatash të ngecura”, ka deklaruar ai në OKB.

“Konsideroj se një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës është e qëndrueshme vetëm nëse është e bazuar në veprime të përgjegjshme dhe të rëndësishme por është nevoja që bashkësia ndërkombëtare të qëndrojë e bashkuar dhe e vendosur në mbështetjen e saj drejt një marrëveshjeje të vlefshme”, ka shtuar Tanin.

Ai theksoi se në këto zgjedhje Lista Serbe mund të bëhet partia e vetme që do t’i përfaqësojë serbët në Parlament.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është duke vazhduar.