Fotografimi i rëntgenit i Arsim Llugiqit.

Sfidat e spitaleve rajonale për të ofruar shërbimin e CT-së për pacientë

Shtatë spitalet rajonale në vend janë duke u ballafaquar me sfida të ndryshme për të ofruar shërbimin e CT-së për pacientët të cilët kanë nevojë për këtë shërbim.

CT apo shërbimi imazherik nuk ofrohet në spitalin rajonal të Ferizajt dhe në atë të Vushtrrisë.

Qytetarët e këtyre dy komunave në rast se kanë nevojë për shërbimin e CT-së duhet të marrin rrugën për në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Spitali i Ferizajt asnjëherë nuk e ka ofruar shërbimin e CT-së ndërsa në Vushtrri ky shërbim mungon tash e tre vite.

Ushtrues detyre i drejtorisë në spitalin e Ferizajt, Halit Gërbeshi në një intervistë dhënë për KALLXO.com ka bërë të ditur se janë në procedurë e sipër për të funksionalizuar shërbimin fotografimit apo të CT-së.

“Janë duke i bërë matjet për rrezatim për me pa a rrezaton apo jo (aparatura e CT-së). Besoj të ejtën apo të premtën fillojmë edhe me shërbimin e CT-së”, ka bërë të ditur drejtori.

Në anën tjetër, për shkak të një defekti spitali rajonal në Vushtrri tash e tre vite nuk ka mundur të ofrojë shërbime për fotografim apo CT për qytetarët e kësaj ane.

Në këtë spital aktualisht është një rëntgen digjital, disa ultrazë dhe një aparaturë e CT- së.

UD në këtë spital, Shefkije Shatri, tha se brenda dy apo tre jave pritet të funksionalizohet shërbimi i CT-së në këtë spital.

“ShSKUK ka kryer tē gjitha procedurat e prokurimit dhe pritet që CT të kthehet në funksion brenda dy ose tre javësh”, sqaroi ajo për KALLXO.com.

Shatri, poashtu tha se spitali të cilin ajo e drejton tash e disa muaj ka gjashtë radiolog specialist të cilët kryejnë shërbimin e rentgenit, ultrazë dhe konslutime tjera të nevojshme për pacientët e të cilët do të kryejnë shërbimin e CT-së sapo të servisohet dhe të kthehet në funksion.

Spitali i Vushtrrisë aktualisht ka një aparaturë për shërbimin e CT-së dhe sipas drejtoreshës, është i mjaftueshëm pasi që ajo thotë se CT në spitalin rajonal të Mitrovicës është funksional dhe kanë bashkëpunim.

Aparatura e CT-së në këtë spital është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndryshe nga dy spitalet paraprake, në Gjilan ofrohet shërbimi imazherik për pacientët e kësaj ane, mirëpo ky spital ngecë tek stafi shëndetësorë, pasi që ka vetëm dy mjekë radiolog.
Secili prej tyre për 15 ditë me radhë përvec punës gjatë ditës duhet të jetë i gatshëm të ofrojë shërbimi është gjatë natës, mjekët tjerë të cilët janë kujdestar dhe kanë nevojë për radiologun për të lexuar CT-në e pacientët janë të detyruar të thërrasin në telefon njërin nga këta dy radiolog, varësisht cili është i angazhuar.

Sipas UD të spitalit, Arsim Emini, një gjë e tillë ndodh për shkak se radiologët tjerë nuk janë të trajtuar për të lexuar fotografime, mirëpo ai shtoi se mjekët tjerë pritet që shumë shpejtë të trajtohen për të lexuar CT-në.

“Gjatë ditës, janë të aranzhuar dy radiolog. Ata e kanë orarin e paraditës mirëpo natën mas orarin ata punojnë me permanencë do të thotë në rastë se ka pacientë ata vijnë. Nga 15 ditë punojnë në këtë mënyrë. Dy radiolog nuk kanë mundësi me mbulu, kjo ndodhë për shkak të mungesës së mjekëve të cilët nuk janë të trajnuar mirëp për të lexuar CT”, sqaroi ai.

Emini është U.D në spitalin e Gjilanit tash e katër muaj dhe thotë se nuk ka bërë kërkesë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të shtuar numrin e radiologëve.

Edhe në spitalin e Gjilanit aparatura e CT-së është donacion nga Qeveria e Luksemburgut e cila, sipas drejtorit, kap vlerën e 396 mijë euro.

Zëdhënësi për spitalin rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka treguar se në këtë spital tash e 20 vite ofrohet shërbimi i CT-së.

Ai në një intervistë për KALLXO.com tregoi se spitali rajonal në Pejë ka dy aparatura të CT-së si dhe janë në pritje të një aparature tjetër shtesë.

“24 orrë kryhet shërbimi I CT-së. Një është kujdestar. Gjithmonë është një radiolog që e kryn shërbimin e CT-së”, sqaroi zëdhënësi.

Shërbim 24 orësh për CT- përvec spitalit të Pejës bëhet edhe në atë të Mitrovicës Jugore.

U.D në këtë spital, Luljeta Zhubi, ka thënë se CT është funksionale që nga vitit 2010/ 2011. Ajo shtoi se dhe CT bëhet nga katër mjek radiolog dhe kanë një aparaturë për këtë shërbim.

“Aparatura është investim nga Ministria e Shëndëtsisë”, tha ajo shkurtimisht për KALLXO.com.

Përveç spitalit të Mitrovicës aparaturë për CT ka pranuar nga Ministria e Shëndetësisë edhe spitali rajonal në Prizren.

“Po kryhen shërbimet e CT-së gjatë kujdestarisë, raste emergjente në emergjencë dhe nëpër reparte nëse janë raste urgjente”, thotë Afrim Avdaj drejtor i spitalit.

Aktualisht në spitalin rajonal të Prizrenit janë dy aparatura për CT, dy shtresore dhe 16 shtresore. Drejtori thotë se për momentin janë të mjaftueshme mirëpo e kanë të nevojshme edhe një aparaturë 128 shtresorë.

“Shërbimet e CT-së kryhen prej 2007 me CT dy shtresor, ndërsa me CT 16 kryhen prej vitit 2019. Aparaturat e CT-së janë donacion nga Mininistria e Shëndetësisë”, sqaron ai për KALLXO.com

Në këtë spital shërbimin imazherik për pacientët e kryejnë tetë mjekë.

Tre radiolog janë në shërbim të pacientëve në rast se kanë nevojë për CT në spitalin rajonal të Gjakovës.

Hilmi Shala, drejtor në këtë spital thotë se shërbimi i CT-së jepet tash e 12 vite dhe ky shërbim është funksional edhe gjatë kujdestarive të natës.

Ai shtoi se aktualisht kanë një aparatur 128 shtresore.

“Aparati parprak ka qenë nga MSh. Nga viti 2020 kemi aparatin e ri donacion nga Ambasada e Amerikës bashkepunim me KFOR-in”, bëri të ditur ai për KALLXO.com.

CT apo shërbimi imazherik tek pacientët

“CT është shërbim imazhërik përmes së cilës duke i shfrytëzuar rrezet X edhe përmes aparaturës krijohen imazhe të trupit të njeriut dhe mandej këto imazhe përpunohen dhe rikontroktuohen dhe krijohen imazhe tre dimensionale për trupin e njeriut”, sqaron për KALLXO.com radiologu nga komuna e Ferizajt, Naim Hoxha.

Ai tutje sqaron se puna e radiologut, profesion të cilin edhe vet e ushtron, është që të lexoj strukturat normale anatomike, variacionet anatomike normale përmes së cilës caktohet  diagnoca imazherike, por ai shton, se ka raste kur duhet të plotësohen metoda tjera në rast se përmes shërbimit të CT-së mjekët janë të saktë në diagnozë.

“Rreziku më i madhë është tek pacientët të cilët janë për raste urgjente do të thotë traumat e ndryshe, sa më shpejtë që jepet diagnose edhe trajtimi mandje është më i saktë dhe më i shpejtë”, sqaron tutje ai.