Antikorrupsioni i Shaip Havollit ‘amniston’ Sejdi Hoxhën e PDK-së

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e ka interpretuar fare Ligjin për Ndërmarrjet Publike për rastin e Sejdi Hoxhës që aktualisht mban dy pozita: Kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës dhe kryetar i PDK-së në Drenas.

AKK-ja duke u thirr vetëm në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ka konstatuar se zgjedhja e Sejdi Hoxhës në pozitën e kryetarit të PDK në Drenas derisa ai është duke ushtruar edhe funksionin e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, nuk përbën konflikt interesi.

Por, ka qenë e njëjta Agjenci që në vitin 2016 e kishte lëshuar një opinion në të cilin kishte konstatuar se zgjedhja e anëtarëve të bordeve me të kaluar politike ishte në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Përkundër që AKK-ja opinionet e saja duhet t’i mbështesë në të gjitha ligjet kur flitet për konflikt të interesit, ajo në rastin e Sejdi Hoxhës është kufizuar vetëm në interpretimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Angazhimi apo zgjedhja e zyrtarit të lartë Sejdi Hoxha, në pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike – dega në Drenas, i cili njëkohësisht ushtron funksionin publik si Kryeshef Ekzekutiv në Postën e Kosovës, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk është i ndaluar dhe nuk konsiderohet si papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në opinionin e AKK-së i cili është i bazuar vetëm në interpretimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Ky interpretim i bërë nga AKK-ja në vitin 2019 është në kundërshtim të plotë me një opinion që e kishte lëshuar Agjencia në vitin 2016 për bordet e ndërmarrjeve publike i cili ishte bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Në atë kohë, Agjencia kishte nisur shqyrtim “ex-officio”, duke konstatuar se anëtarët e bordeve duhet të jenë të pavarur ashtu që në 36 muajt e fundit nuk duhet të kenë poste politike nëpër institucione apo poste udhëheqëse nëpër parti politike.

 

Gazeta JnK ka kërkuar sqarime shtesë nga AKK-ja se pse nuk është interpretuar rasti i Sejdi Hoxhës duke u bazuar edhe në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Si dhe nëse AKK-ja e ka të kufizuar mandatin me interpretu vetëm Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

AKK-ja ka thënë se mandati i tyre për të dhënë interpretime nuk është i kufizuar vetëm në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, siç janë kufizuar në vendimin për Hoxhën.

“Lidhur me sqarimet shtesë sa i përket opinionit të AKK-së në rastin Hoxha, Agjencia ju njofton se opinionet dhe rekomandimet e saj i ofron mbi ligjet bazë të Agjencisë si dhe legjislacionit tjetër në fuqi”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Ata e kanë pranuar se në vitin 2016, interpretimi ishte bërë bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

“Sa i përket dispozitave të Ligjit për Ndërmarrjen Publike, Agjencia Kundër Korrupsionit ka rekomanduar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Njësinë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike si dhe Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës, që komfor mandatit të tyre si autoritete përgjegjëse të përcaktuar me Ligjin për Ndërmarrjen Publike, të vlerësojnë dhe të ndërmarrin veprimet konkrete, në aspekt të mbikëqyrjes së ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë profesionale krahas angazhimeve të z. Hoxha në subjektin politik”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Ish-drejtori i AKK-së, Hasan Preteni ka thënë Agjencia Kundër Korrupsion e ka për obligim të interpretojë të gjitha ligjet në fuqi ku trajtohet konflikti i interesit e jo vetëm Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, siç ka ndodhur në rastin e kryeshefit ekzekutiv  të Postës, Sejdi Hoxhës.

“Është organi i vetëm që e bën interpretimin e konfliktit të interesit por jo vetëm të ligjit bazik që është Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit por ka edhe shumë ligje tjera të cilat e rregullojnë konfliktin e interesit, prej Ligjit të Prokurimit, Ligjit për Shoqëritë Aksionare, pra prej Kushtetutës e më poshtë. Pra nuk duhet me u bazu vetëm në ligjin bazik por edhe në ligje të tjera kudo që trajtohet konflikti i interesit ata janë të obliguar me interpretu”, ka potencuar Preteni për Kallxo.com.

Në kohën e Pretenit, AKK-ja kishte lëshuar një opinion duke u bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në të cilin kërkohej nga institucionet që nëpër borde të mos emërohen persona me të kaluar politike.

Në një përgjigje të marrë nga Agjencia Kundër Korrupsionit që udhëhiqet nga Shaip Havolli thuhet se AKK-ja i ka rekomanduar organet përgjegjëse të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që komfor obligimeve dhe përgjegjësive të tyre sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike të ndërmarrin veprimet konkrete si organe/autoritete përgjegjëse.

“Agjencia Kundër Korrupsionit është në pritje të një përgjigje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomi, përkatësisht nga Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike si dhe Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjet Publike lidhur me veprimet e ndërmarra sipas rekomandimit të Agjencisë”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Edhe në vendimin e lëshuar Antikorrupsioni përgjegjësinë për rastin e Sejdi Hoxhës ja ka lënë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Bordit të Drejtorëve.

“Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Njësinë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Bordin e Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”, si autoritete udhëheqëse dhe mbikëqyrës të Kryeshefit Ekzekutiv, Sejdi Hoxha, të bëj vlerësimin dhe mbikëqyrjen ligjore të çështjes së Përshtatshmërisë Profesionale për mbajtjen e funksionit të Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”, në raport me angazhimet apo përfshirjen në subjekte politike, sipas legjislacionit në fuqi për funksionimin e Ndërmarrjeve Publike”, thuhet në interpretimin e dhënë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Interpretimi i MZhE-së

Këtë opinion për rastin e Sejdi Hoxhës, AKK-ja thotë se e ka lëshuar pasi ka pranuar shumë kërkesa për interpretim të rastit. Njëra nga këto kërkesa është dërguar edhe nga Zyra Ligjore e BIRN dhe Interneës Kosova, në të cilën specifikisht kërkohet interpretimi i Ligjit për Ndërmarrjet Publike nga AKK-ja për rastin e Sejdi Hoxhës. BIRN e ka cituar edhe interpretimin e dhënë nga MZhE dhe Zyra e Kryeministrit për rastin e Blerand Stavilecit, e në të cilën konstaton se kryeshefi duhet të jetë i pavarur.

Gazeta JnK e ka siguruar edhe përmbajtën e shkresës që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ia kishte dërguar AKK-së si përgjigje në kërkesën e Agjencisë të datës 8 korrik 2019 për “ofrimin e opinionit ligjor sa i përket çështjes së përshtatshmërisë profesionale për mbajtjen e funksionit të zyrtarit të lartë z. Hoxha në NP PK sh.a, në raport me angazhimet apo përfshirjen e tij në subjekt politik konkretisht si Kryetar i partisë Demokratike-dega në Drenas, sipas ligjit nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike”.

Në këtë shkresë MZhE-ja thotë se është obligim i Bordit të drejtorëve që të ‘sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të lartë të kenë integritet të njohur të cilët i plotësojë kushtet e kualifikimit dhe përshtatshmërisë profesionale sipas nenit 17 të Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike’.

MZhE-ja shpjegon se kryeshefi duhet t’i plotësojë edhe kërkesat që dalin nga neni 17 duke e vendosur theksin tek pavarësia.

“Përfshirja e pikës (k) të nenit 17.2 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person I emëruar si zyrtarë në një NP nuk konsiderohet i pavarur nëse: ‘është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në shkresën e MZhE-së.

MZhE-ja ka kërkuar nga AKK-ja që të bëjë interpretimin e rastit të Sejdi Hoxhës.

“Krejt në fund mbesim në pritje të opinionit nga Autoriteti juaj me orientimin se situata e krijuar në Postën e Kosovës dhe pozicioni i krijuar i Kryeshefit Ekzekutiv i z.Hoxha si mund të kualifikohet, sjellje e lejuara apo e ndaluar për zyrtarë të lartë gjatë kryerjes së detyrës publike dhe kjo situatë e re a mund të ndikojë në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”, thuhet në shkresën e MZhE-së.

 “Njeriu ka të drejtë të merret me politikë”

Kryetari i Bordit të Postës së Kosovës, Halit Isufi ka thënë se ka pranuar opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit për kryeshefin ekzekutiv të Postës së Kosovës por ende nuk kanë mbajtur mbledhje me bordin për të diskutuar në lidhje me të.

“Po, e kemi marrë interpretimin jemi duke e shqyrtuar se dje më ka ardhur. Ne ende nuk e kemi pas mundësinë me u mbledhë si bord me u konsultu për interpretimin e Agjencisë Kundër Korrupsion por besoj se shumë shpejtë do ta ketë mbledhjen e radhës Bordi dhe do ta diskutojmë në bazë të ligjeve. Sepse interpretimi është kuptimplotë se nuk ka konflikt interesi”, ka thënë Isufi për Kallxo.com.

Vendimi i AKK-së thotë se Hoxha nuk është në konflikt të interesit, duke e shpjeguar paragrafin 1 të nenit 13 të Ligjit, i cili përcakton çështjen e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik.

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik, privat, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit”, vazhdon neni 13 i këtij Ligji.

Anëtari i bordit të Postës, Halit Isufi thotë se situata e Hoxhës nuk është e njëjtë me atë të Blerand Stavilecit pasi kjo situatë e ka gjetur Hoxhën brenda Postës së Kosovës.

“Një rrethanë tjetër ka qenë situata për Blerand Stavilecin kurse kjo është rrethanë tjetër, sepse ai (Sejdi Hoxha) ka edhe tre muaj kontratë që ia ka nënshkru pikërisht ky bord aktual. Situata e re që është krijuar me kryeshefin Hoxha është situatë që e ka gjet në punë me kontratë. Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka thënë që ka shkelje, nuk ka thënë që ka konflikt interesi por ne shumë shpejtë do ta kemi mbledhjen e bordit dhe do ta diskutojmë si çështje”, ka shpjeguar Isufi.

Më tej ai ka thënë se Ligji për Ndërmarrjet Publike as nuk e ndalon as nuk e sqaron situatën në të cilën gjendet kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

“Thjesht nuk është sqarues shumë në kuptim të kësaj situate që është krijuar”, shtoi Isufi.

Kryetari i Bordit të Postës së Kosovës, Halit Isufi ka thënë se Hoxha nuk do të mund të zgjidhej kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës nëse do të ishte kryetar i degës së PDK-së në Drenas.

“Plotësisht i pavarur ka qenë (Sejdi Hoxha), por me kalimin e kohës janë bërë pesë vite kontratë njeriu ka të drejtë të merret me politikë ose çështje të caktuara por nuk do të kishte mund të vinte të bëhej kryeshef ekzekutiv nëse do t’i kishte pasur këto rrethana që i ka, nga kryetar i degës së një subjekt politik në pozitën e kryeshefit”, ka thënë ai.

Por, një interpretim ligjor i Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ia kishte pamundësuar Blerand Stavilecit t’i hyjë garës për drejtor të KEK-ut, pasi ishte konstatuar se zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.

Sejdi Hoxha i cili ka qenë duke mbajtur pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, më 19 maj të këtij vitit ka ardhur në krye të PDK-së në Drenas.

Kur ishte pyetur nga Kallxo.com, Hoxha e kishte mohuar konfliktin e interesit.

“Unë kam marr një interpretim nga Zyra Ligjore e Postes se Kosovës e cila konsideron se nuk ka konflikt interesi. Gjithashtu, lidhur me ketë çështje, do te konsultohem edhe me institucione te tjera”, ka shkruar Hoxha në Facebook duke u zotuar në zbatim çdo vendim ligjor.

Rast të ngjashëm me atë të Sejdi Hoxhës ka edhe Shekip Fazliu, sekretari i Telekomit të Kosovës, i cili që nga 23 qershori është zgjedhur edhe kryetar i degës së Nismës Socialdemokrate në Skenderaj.

Përderisa në mars të këtij viti ai është emëruar nga bordi i Telekomit të Kosovës në pozitën e sekretarit të kësaj ndërmarrjeje, tre muaj më pas, Fazliu ka ardhur në krye të Nismës Socialdemokrate në Skenderaj.

Njëjtë si Sejdi Hoxha edhe Shekip Fazliu e ka mohuar konfliktin e interesit.

“Unë e di që nuk kam konflikt interesi edhe për atë i kam hy kësaj gare përndryshe unë nuk jam person që paguhem nga partia apo nga një pagë tjetër. Është një punë vullnetare që e bëj. Kam kërku opinion. Dhe përgjigja është që nuk kam konflikt interesi”, ka thënë Shekip Fazliu për Kallxo.com.

Politizim të menaxhmentit kemi edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës. Bordi i kësaj ndërmarrje e ka zgjedhur zv.drejtor të KEK-ut Nysret Kelmendi, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit.

Nysret Kelmendi ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit në mandatin e kaluar, pasi PDK-ja ka bashkë qeverisur me kryetarin Xhafer Gashi. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Kosovë në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit nga radhët e PDK-së.

Zgjedhja e Nysret Kelmendit në postin e zv.drejtorit të KEK-ut është në kundërshtim me interpretimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike që e ka bërë Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Kryeministrit.