Sejdi Hoxha - Foto: KALLXO.com

Sejdi Hoxha: Matja e temperaturës në shkolla duhet të bëhet nga mjekët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha ka kërkuar nga Ministri i Arsimit, që të rishikohet regjistrimi i fëmijëve në klasat para fillore, pasi që sipas tij në Kosovë ka prindër fëmijët e të cilëve kanë mbetur të pa regjistruar në shkollë.

“Shkollat kanë kufizuar numrin e nxënësve për shkak të pandemisë nga ministria dhe numri i atyre që kanë mbetur pa u regjistruar, kufizimi i numrit të nxënësve e ka kufizuar edhe numrin e pranimit dhe prindërit janë shumë të shqetësuar”, ka thënë Hoxha.

Tutje ai ka bërë edhe krahasimin e matjes së temperaturës së nxënësve nëpër shkolla dhe e ka krahasuar me matjen e temperaturës së deputetëve, e cila bëhet nga profesionistët mjekësorë, ndërsa temperatura e nxënësve nëpër shkolla bëhet nga stafi i shkollës.

“Siguritë që këtë po e bëjnë(matjen e temperaturës) ose punonjësit teknik dhe administrativ, unë e çmoj vullnetin e tyre për të kry këtë punë, po ata nuk janë profesionistët shëndetësorë”, ka bërë të ditur Hoxha.