Saranda Bogujevci: Rruga për të vazhduar përpara është bashkimi ynë në shesh

Aktivistja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci tha se rruga për të vazhduar dhe për ta rregulluar Kosovën është bashkimi dhe dalja në sheshe të bashkuar.

“Ne së bashku mund ta ndryshojmë vendin tonë. Nuk guxon askush të shkel mbi demokracinë, e as mbi qytetarët e këtij vendi. Ka disa në vendin tonë që dëshpërimin dhe privilegjeve të veta po përpiqen që ta shpërndajnë me ne. Por ne jemi bashkë dhe nuk ka që na ndan e që na ndal. Rruga për të vazhduar përpara është bashkimi ynë në shesh, mijëra djem e vajza që duan të ecin përpara të motivuar për të rregulluar vendin ashtu siç e meritojnë. Bashkë me vullnet do të ia kthejmë dinjitetin vendit”, tha Bugojevci.

Bogujevci shtoi se gjatë ditës së sotme po feston edhe ditëlindjen përveç themelimin e VV-së dhe çlirimit të Kosovës.

“Falë luftës së UCK ndihmës së NATO-s dhe shumë popujve në botë në këtë ditë 21 vite më parë u çliruam nga Serbia. Në këtë ditë nuk u çliruam nga Serbia por për herë të parë u çliruam që të jemi të pavarur dhe të lirë. Po në këtë ditë lindi LVV. Sot LVV feston 15 vite ekzistencë dhe jam me fat që jam pjesë e saj. Gjithashtu sot unë me ju në këtë ditë të rëndësishme festoj edhe ditëlindjen me ju. Plot arsye për të festuar sot. Kemi dhënë shumë për këtë ditë dhe nuk jemi aty ku natyrshëm do të duhet të kishim mbërritur. Për ta gëzuar lirinë do të duhej të ndërtonim një shtet të fortë, shtet demokratik sikurse vullneti i shumicës sonë. Na dhemb çdo ditë e më shumë që ende nuk kemi mundur të heqim pengesat që po na pengojnë aspiratën tonë”, shtoi ajo.

Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim siç e ka quajtur paqësor, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e formimit të Vetëvendosjes.

Një numër i madh i zyrtarëve policor janë parë rreth e rreth Qeverisë së Kovës. Të njëjtit janë angazhuar për të mbajtur rend gjatë tubimit.