Samadrexha shpallet vatër e COVID-19

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar se fshati Samadrexhë i kësaj komune është shpallur vatër e përhapjes së COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai ka bërë thirrje që personat që kanë pasur kontakt me të infektuarin me COVID-19 në Samadrexhë të vetizolohen.

“Ministria e Shëndetësisë, sot ka marrë vendim që Fshati Samadrexhë, i komunës tonë, të shpallet vatër e përhapjes së infeksionit. Personi i diagnostifikuar me COVID-19 dhe kontaktet janë rekomanduar të vetizolohen. 10 testet e kontakteve të deklaruara kanë rezultuar negativ”, ka shkruar kryetari i Vushtrrisë në Facebook.

Tahiri ka shtuar se fshati do të jetë në mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.

Deri më tani në komunën e Vushtrrisë janë 24 persona që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, 5 janë shëruar dhe një ka vdekur.