Sali Berisha - Foto: Facebook / Sali Berisha

Sali Berisha ia tregon Edi Ramës dashurinë e kosovarëve për të (VIDEO)

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një video të publikuar në Facebook, i ka treguar kryeministrit aktual, Edi Rama, dashurinë e kosovarëve për të.

Berisha ka zgjedhur pamje të vizitës së tij në Kosovë, ku shihet entuziazmi i qytetarëve të Kosovës për ta pritur Berishën.

“Në Kosovën e lire, ne vizitën e jetës time”, ka shkruar Berisha.

Ky reagim i Sali Berishës vjen pas reagimeve që ngjalli organizimi në Shqipëri i takimit të ‘Mini-Schengenit”, pjesë e të cilit ishte edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pak ditë para se të udhëtonte për në Tiranë mohoi masakrën e Reçakut, e kryer nga forcat e vendit të tij në fshatin martir të Kosovës.

Edi Rama është kritikuar edhe për “Mini-Schengenin” pjesë e të cilit nuk është Kosova, sidomos si rezultat i kërkesës së presidentit serb.

Në mbledhjen parë të këtij forumi, i mbajtur në Novi Sad, nuk ishte ftuar Kosova.

Për këtë ka reaguar edhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar për takimin e fundit në Shqipëri për nismën e “Mini-Schengenit” ballkanik, të liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti përmes një publikimi në Twitter ka shkruar se parimet e gjithë përfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale.

“Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të na hyjë në mes. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim e jo konfrontim!”, ka shkruar Kurti, i cili pas zgjedhjeve të 6 tetorit, pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.