Kurti për ‘Mini-Shengenin’ ballkanik: Askush nuk mund të na hyjë në mes

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar për takimin e fundit në Shqipëri për nismën e “Mini-Schengenit” ballkanik, të liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti përmes një publikimi në Twitter ka shkruar se parimet e gjithë përfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale.

“Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të na hyjë në mes. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim e jo konfrontim!”, ka shkruar Kurti, i cili pas zgjedhjeve të 6 tetorit, pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Dy ditë më parë, pas mbajtjes së samitit të Tiranës, katër liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq kanë miratuar një deklaratë e cila flet për procesin e “Mini-Shengenit”, duke theksuar se angazhohen për të zbatuar pikat e marrëveshjes.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ditët e fundit është kritikuar ashpër për ftesën që i ka bërë presidentin serb Aleksandër Vuçiq që ta vizitojë Shqipërinë, si dhe për faktin se Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e “Mini-Schengenit”.

Mali i Zi refuzon ‘Mini Schengen’-in ballkanik