Sa vota mori Lutfi Haziri në fshatin e vet?

Tre ditë pas zgjedhjeve të parakohshme  parlamentare janë numëruar të gjitha votat e rregullta ndërsa janë duke u numëruar votat nga diaspora.

Në rezultatet e deritanishme Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e përcjellur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E njëri prej qyteteve në të cilën mori shumë vota LVV e Albin Kurtit është Gjilani. Kjo komunë udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

LVV në Gjilan mori plot  17 mijë e 864 vota apo 39.75 për qind të të gjitha votave. Në anën tjetër, LDK në Gjilan mori 12 mijë e 217 vota apo 27.18 për qind.

Dallimi ndërmjet dy partive me vota ishte 5 mijë e 647 vota.

LDK që në zgjedhjet e 6 tetorit kandidoi me Vjosa Osmanin për shefe të Qeverisë, zgjodhi pikërisht Gjilanin që ta përmbyllte fushatën elektorale. Njeriu që udhëheq me qytetin e Gjilanit ishte i bindur se në këtë komunë do të korrte fitore.

Por, Lutfi Haziri si duket nuk i bindi votuesit gjilanas në përgjithësi. Megjithatë, në fshatin e tij të lindjes ai fitoi mbi gjysmën e votave.

Në qendrën e votimit 0446d, në fshatin Llovcë, sipas KQZ-së i LDK mori 44 vota apo 52.38 për qind të numrit të përgjithshëm

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor.

Deri më tani fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 për qind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 për qind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës votat me kusht, me postë dhe të personave me aftësi të kufizuara.