Ilustrim

Sa armë posedojnë leje të UNMIK-ut në Kosovë?

Në Kosovë janë rreth 20 mijë armë me leje të misionit të sundimit të ligjit në Kosovë – UNMIK, kurse rreth 37 mijë kanë leje në bazë të Ligjit për legalizimin e armëve.

Kështu ka deklaruar në raportimin e tij para Komisionit për Siguri Mensur Hoti, drejtori i Departamentit për Siguri Publike.

“Aktualisht janë rreth 20 mijë armë të tilla (UNMIK-ut), të cilat nuk janë armë ilegale, janë armë të regjistruara. Por të cilat, posedues të tyre nuk u janë nënshtruar kërkesave të ligjit të ri. Edhe pse ligji i ri u ka dhënë një afat kohor kur munden që t’i përfundojnë trajnimet dhe t’i përshtaten kërkesave ligjore. Është goxha e kushtueshme që një qytetar i joni që e ka pasur një armë me leje të UNMIK-ut që të kryejë trajnimet dhe të nxjerr një mori dokumentesh…Me rëndësi për ne si organ kompetent është që armët e tilla janë të regjistruara dhe që të mos përdoren në aktivitete kriminale dhe të mos dalin në tregun e zi. Aktualisht janë rreth numrit 37 mijë të armëve që qytetarët i kanë me leje”, ka deklaruar Hoti para anëtarëve të Komisionit.

Ai po ashtu foli edhe për tregun e zi të armëve.

“Policia e Kosovës çdo vit konfiskon rreth 1,000 armë në territorin e Republikës së Kosovës. Aktualisht jemi duke punuar në ngritje të kapaciteteve për kontrollimin e armëve në kufijtë e Kosovës. Kemi ende punë për të bërë, plani i përbashkët parasheh edhe ndihmën nga mekanizmat e BE-së” , tha ai.

Drejtori për siguri publike, Mensur Hoti, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com