Foto: Dimitro Sevastopol

Rusia e gatshme për të negociuar me Ukrainën

Në një telefonatë të premten me presidentin kinez Xi Jinping, presidenti rus, Vladimir Putin tha se Rusia është “e gatshme të zhvillojë negociata të nivelit të lartë me Ukrainën”, sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV.

Sipas medias CNN, Putin tha se SHBA-ja dhe NATO-ja kanë “injoruar prej kohësh shqetësimet e arsyeshme të sigurisë të Rusisë dhe kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur angazhimet e tyre dhe përparimi i tyre i vazhdueshëm i vendosjes ushtarake drejt lindjes ka sfiduar fundin strategjik të Rusisë”, raportoi CCTV.

Xi tha se Kina “vendos pozicionin e saj bazuar në meritat e vetë çështjes së Ukrainës dhe se Kina mbështet Rusinë dhe Ukrainën që ta zgjidhin çështjen e tyre përmes negociatave”, shtoi raporti.

Ai tha gjithashtu se “Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët në komunitetin ndërkombëtar për të mbrojtur një koncept të përbashkët, gjithëpërfshirës, ​​bashkëpunues dhe të qëndrueshëm të sigurisë”.

Sot në mëngjes, në një konferencë në Pekin, zëdhënësi Wang Wenbin përsëriti qëndrimin e Kinës se respekton integritetin territorial të të gjitha vendeve, por sipas tij, Kina kupton gjithashtu “shqetësimet legjitime të Rusisë për çështjet e sigurisë”, duke mos pranuar të vendos sanksione ndaj Rusisë.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.