Rusia akuzohet se e ka bërë Bjellorusinë një 'peng bërthamor'

Ukraina e ka akuzuar Rusinë për destabilizimin e Bjellorusisë dhe për shndërrimin e këtij vendi në “një peng bërthamor”, pas njoftimit të Vladimir Putin se Moska ka bërë një marrëveshje për të vendosur armë taktike bërthamore në territorin bjellorus.

Udhëheqësja e opozitës së vendit në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka deklaruar se ky vendim “bie në kundërshtim të madh me vullnetin e popullit bjellorus” dhe pasqyron nënshtrimin e mëtejshëm të Bjellorusisë nën kontrollin rus.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy u ka kërkuar të gjithë ukrainasve që të mbeten të angazhuar me zhvillimet në luftë, edhe pse luftimet janë përqendruar kryesisht në lindje. “Tani, ashtu si një vit më parë, njeriu nuk mund të jetë mendërisht larg luftës, megjithëse falë ushtarëve tanë, armiqësitë e vërteta po zhvillohen gjeografikisht larg nga shumë”, ka deklaruar presidenti ukrainas në videofjalimin e tij të natës.

Zelenskiy tujte ka shtuar se ka mbajtur takime të nivelit të lartë me sektorin e sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes duke diskutuar për përforcimet dhe “përgatitjen e hapave përkatës”. Ndërkohë, sipas tij, Ukraina “ka marrë 1.5 miliardë euro ndihmë makro-financiare nga Bashkimi Evropian – fondet janë tashmë në llogaritë e bankës kombëtare”.

Zelenskiy po ashtu ka deklaruar se qeveria kroate e ka miratuar një program për t’i trajtuar ushtarët e plagosur ukrainas.

Numri i trupave ruse në Bjellorusi është ulur në rreth 4,000, sipas autoriteteve ukrainase. Andriy Demchenko, zëdhënësi i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare, tha se ka pasur 10,000 trupa në janar. Shumica e atyre që kanë mbetur po stërviten, ndërsa pjesa tjetër u transferua në Rusi.

NATO e ka kritikuar Rusinë për retorikën e saj bërthamore “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme” pasi Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

Ukraina ka reaguar ndaj planeve të Rusisë për Bjellorusinë duke bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ministria e Jashtme e Kievit tha se është “një hap tjetër provokues” nga Moska që minon “sistemin ndërkombëtar të sigurisë në tërësi”. Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se Kremlini e ka marrë Bjellorusinë si një “peng bërthamor”. Ndihmësi presidencial i Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, e ka akuzuar Putinin për shkelje të traktatit të mospërhapjes bërthamore dhe se për përdorimin e taktikave frikësuese.

Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, ka paralajmëruar Bjellorusinë të mos bëhet nikoqir i armëve bërthamore ruse. “Bjellorusia që u bën vend armëve bërthamore ruse do të nënkuptonte një përshkallëzim të papërgjegjshëm dhe kërcënim për sigurinë evropiane. Bjellorusia ende mund ta ndalojë atë, është zgjedhja e tyre. BE është e gatshme të përgjigjet me sanksione të mëtejshme”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby,ka deklaruar të dielën se “ne nuk kemi parë ndonjë indikacion që ai [Putini] e ka përmbushur këtë premtim ose ka lëvizur ndonjë armë bërthamore”.

Rusia dhe Kina nuk po krijojnë një aleancë ushtarake, ka deklaruar Putin në një intervistë të transmetuar televizive. Putin tutje ka shtuar se bashkëpunimi ushtarak i dy vendeve është transparent, raportuan agjencitë e lajmeve.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se që nga fillimi i marsit të vitit 2023, Rusia ka të ngjarë të ketë nisur të paktën 71 mjete ajrore pa ekuipazh të sulmit në një drejtim të serisë Shahed të projektuar nga Irani (OWA-UAVS) kundër objektivave në të gjithë Ukrainën. Ai thotë se Rusia ka të ngjarë të nisë Shaheds nga dy akse: Krasnodar Krai në lindje dhe rajoni Bryansk në verilindje, të dyja brenda Rusisë.

Ukraina nuk do të përdorë më financime monetare “të rrezikshme” për të financuar luftën kundër Rusisë, ka thënë për Financial Times guvernatori i bankës së saj qendrore, Andriy Pyshnyi.

Refugjatët ukrainas po targetohen gjithnjë e më shumë për shfrytëzim seksual me një rritje të interesit për pornografinë që pretendon t’i shfaqë ata, sipas hulumtimit nga Thomson Reuters.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së, Rafael Grossi, do ta vizitojë termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës javën e ardhshme për ta vlerësuar situatën serioze të sigurisë atje, thuhet në një njoftim të bërë nga IAEA. Rafael Grossi ka deklaruar se siguria bërthamore dhe rreziqet e sigurisë në termocentralin e mbajtur nga Rusia janë “shumë evidentee”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala