Rrugëtimi artistik i Gjelosh Gjokajt shpaloset nesër në Galerinë Kombëtare

Ekspozita retrospektivë me veprat e artistit Gjelosh Gjokaj, “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj“, hapet nesër, më 15 maj 2024 në Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK).

GKK ka bërë të ditur përmes një njoftimi se kjo ekspozitë është kuruar nga Shkëlzen Maliqi dhe hapet në ora 19:00.

Ekspozita hapet në 90 vjetorin e lindjes së Gjokajt.

“Kjo ekspozitë e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi për nderë të 90-të vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokaj, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt”- thuhet në njoftim.

Ekspozita, sipas GKK përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të Gjokajt.

“Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokaj, si dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës”- ka njoftuar GKK-ja.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar.

Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë. Në Kosovë Gjelosh Gjokaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog dhe themelues i shkollës së grafikës dhe si piktor.

Ekspozita “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj “ do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 07.07.2024.