Ekspozita “Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë”. Foto KALLXO.com.
Nga demonstratat e 1981-tës deri në çlirim, ekspozita kushtuar rizgjimit të vlerave kombëtare
Organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë është hapur sot, më 12.06.2024 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë ekspozita “Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë”.
Në këtë ekspozitë janë prezantuar fotografi e materiale të ndryshme arkivore që pasqyrojnë zhvillimet politike, mediatike e kulturore që nga viti 1980 e deri me çlirimin e Kosovës.
Bislim Bislimi, drejtor i ASHAK-ut, tha në hapje të ekspozitës se përmes këtyre materialeve arkivore po rikthehet për kujtim e rivlerësim të ngjarjeve që i paraprinë reagimit kolektiv të popullit të Kosovës që nga demonstratat e vitit 1981 e deri në çlirim, më 11 dhe 12 qershor 1999.
“Në këtë ekspozita paraqiten materiale me shkrime e vlerësime të shtypit amerikan për vendim tonë, shkrime e artikuj të botuar në Shqipëri për demonstratat e vitit 1981, dokumente të ambasadës shqiptare në Beograd, akte të marrëveshjeve të bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën, gjatë asaj kohe e materiale tjera”- tha Bislimi.
Kurse, Lorenc Agalliu nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë tha se përmes kësaj ekspozite të përbashkët prezantohet vetëm një copëz e gjithë sasisë të madhe dokumentare që arkivat shqiptare disponojnë për historinë e Kosovës.
“Çlirimi i Kosovës nuk do të ishte një akt i finalizuar pa ngjarjet që tregojnë këto dokumente që ne po ekspozojmë sot, sepse pikërisht në këto data në vitet 70-81 janë nisur ndër revoltat e para të popullit shqiptar për shtetësinë e Kosovës”- tha ai.
Ekspozita hapet në kuadër të shënimeve për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.