Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia po heton vjedhjen e një aparature mjekësore

Policia në Prishtinë ka njoftuar se të enjten ka intervistuar një burrë nën dyshimin se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë vjedhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Policia ka sekuestruar pajisjen, e cila arrin vlerën rreth 45.000 euro.

“hetuesit e stacionit policor Qendra, kanë intervistuar një person, i cili dyshohet se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur, në Shkup të Maqedonisë së Veriut”- thuhet në raport.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit është inicuar rast ndaj D. Sh, 47 vjeç.

“Pas sekuestrimit të pajisjes dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, është inicuar rast ndaj personit të dyshuar: – D. Sh, mashkull 47 vjeç, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale”- thuhet tutje në njoftim të Policisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me të dyshuarin, D.SH, i cili e ka pranuar që është intervistuar nga policia e Kosovës, por thotë se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Shënim: Artikulli është edituar me 17 nentor 2022 në ora 19:05, pasi Policia e Kosovës e ka edituar komunikatën të publikuar në ueb-faqen e Policisë së Kosovës dhe postimin e bërë në Facebook.