Rexhep Selimi mohon të ketë kërkuar mbrojtje pas intervistimit nga Specialja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka mohuar të ketë kërkuar mbrojtje pas intervistimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Portali “IndeksOnline” gjatë ditës ka publikuar një shkrim në të cilin thirrej nga burimet e tyre ndërkombëtare.

Selimi për KALLXO.com ka thënë se nuk ka marrë asnjë kërcënim dhe se nga Gjykata Speciale është ftuar si i dyshuar.

“Jo nuk është e vërtetë. As nuk kam marrë kërcënime e as nuk kam kërkuar mbrojtje e mbi të gjitha nuk kam nevojë. Unë nga Gjykata Speciale jam imtervistuar si i dyshuar dhe për këtë gjë nuk kam nevojë as për avokat e as për truprojë”, tha Selimi për KALLXO.com.

Ai shtoi se atë e mbron e drejta e UÇK ku kishte qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

“Në vend të cilitdo avokat apo truproje, mua më mbron e drejta e UÇK-së. Nuk po e kuptoj portalin qe e ka sajuar këtë dezinformatë e as motivin, por një gjë po e kuptoj se dikush po don të luajë lojëra të ulëta me këtë gjë”, tha ai tutje.