Hambari. Foto: QRTK-Prizren

Restaurohet një hambar i vjetër në Senik të Malishevës

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren ka përfunduar restaurimin e hambarit të familjes Jonuzaj në fshatin Senik të komunës së Malishevës.

I konsideruar si një monument me vlera të veçanta për rajonin e Llapushës, hambari i Jonuzajve është i veçantë në radhë të parë për vjetërsinë dhe gdhendjet karakteristike prej druri.

Sipas QTRK-së në Prizren, ky hambar mbetet vlerë e shtuar e paraqitjes së mënyrës së jetesës si dhe simbol i begatisë në familjet fshatare të Kosovës.

Samir Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka pohuar se restaurimi i këtij monumenti është pjesë e hulumtimit dhe punës që po bën QRTK për trashëgiminë kulturore të rajonit të Prizrenit.

Ky hambar është ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar.

“Marrë për bazë faktin se hambari i familjes Jonuzaj, është ndër ata të cilët kanë ngelur në të trevën e Llapushës, është i veçantë në radhë të parë për vjetërsinë, funksionin, punën karakteristike gdhendur në dru, por edhe gjendjen e mirë që ka, si rezultat i kujdesit të vazhdueshëm të familjes”, tha Hoxha.

“Andaj QRTK në Prizren, në kuadër të përmbushjes së detyrave të punës, bën përzgjedhjen e gjetjeve dhe objekteve nga inventari i trashëgimisë kulturore të cilat më pas u propozohen organeve përgjegjëse për t’u dhënë status të mbrojtjes së përkohshme në kuadër të Listës së trashëgimisë kulturore, por edhe harton dhe zbaton projekte për restaurim dhe konservim”, ka pohuar Hoxha.

Hambari. Foto: QRTK-Prizren
Hambari. Foto: QRTK-Prizren
Hambari. Foto: QRTK-Prizren