
Reshjet e mëdha shkaktojnë përmbytje në pjesë të ndryshme të Kosovës
Pjesë të ndryshme të Kosovës sot pasdite janë përballur me mot me shi të dendur e vetëtima të mëdha.
Qytetarët kanë dërguar në adresë të KALLXO.com pamje nga vende të ndryshme.
Si duket, zona e Prishtinës ka qenë më e prekura nga vërshimet.
Rrugë të ndryshme në qytet por edhe ato që çojnë drejt qyteteve të tjera janë vërshuar, duke vështirësuar qarkullimin e qytetarëve këmbë dhe me automjete.
Pamjet e siguruara nga KALLXO.com tregojnë përmbytjen e rrugës në hyrje të Stacionit të Autobusave në Prishtinë.
Ndërsa, vërshime të rrezikshme janë regjistruar në Mramor.
Pjesë të rrugës Prishtinë-Podujevë janë vërshuar po ashtu sot pasdite.
Kurse, për shkak të vërshimeve, rruga magjistrale Prishtinë-Gjilan ka qenë përkohësisht e pakalueshme.
Ndërsa, në Vushtrri ka pasur edhe reshje breshri.