Vërshimet në Veternik të Prishtinës Foto: KALLXO.com, 20.05.2024

Reshjet bllokojnë rrugën në Veternik, intervenojnë zjarrfikësit - Pamje

Rruga “Gjin Nikollë Kazazi” në lagjen Veternik në Prishtinë është vërshuar nga uji, pas reshjeve të shiut gjatë mëngjesit të hershëm të datës 20.05.2024.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit për të larguar ujin dhe zhbllokuar rrugën.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se reshjet kanë shkaktuar dëme materiale.

“Ekipet e zjarrfikësve dhe Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me policinë janë duke i sanuar” – thuhet në njoftimin e Kryeqytetit.

Si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm mëngjesin e së hënës (20.05.2024), në Prishtinë janë bllokuar disa rrugë e janë shkaktuar dëme materiale.

Gjithashtu si pasojë ka edhe trafik të ngarkuar në komunikacion.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka thënë se po punojnë për të sanuar gjendjen.“Pas shiut të rrëmbyeshëm të mëngjesit të hershëm, në disa zona të kryeqytetit janë shkaktuar dëme materiale, të cilat ekipet e zjarrfikësve dhe Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me policinë janë duke i sanuar”- thuhet në njoftim.

Komuna ka apeluar për durim si pasojë e gjendjes në trafikun rrugor.

“Ju lutemi të keni durim në trafikun e ngarkuar i cili është shkaktuar për shkak të ndërhyrjeve në sanim nga ekipet e emergjencave. Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”- vijon njoftimi.