Rekordi i ri, 90 të infektuar e tre të vdekur nga COVID-19 në Shqipëri

Në spitalin infektiv në Shqipëri po trajtohet aktualisht pacienti më i vogël me COVID-19, një fëmijë 2 muajsh i prekur nga sëmundja bashkë me të ëmën. Autoritetet shëndetësore përsërisin thirrje të dëshpëruara për popullsinë dhe bizneset të tregojnë kujdes për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

 

Buletini i përditshëm i Ministrisë së Shëndetësisë mbi pandeminë e coronavirusit ditën e premte nisi me një lutje drejtuar popullsisë së gjerë për të shtuar kujdesin dhe përfundoi me një thirrje për bizneset për të respektuar masat kundër përhapjes së virusit në një ditë ku Shqipëria shënoi rekordin e ri negativ me 90 persona bartës të identifikuar në 24 orë dhe tre të vdekur.

Dr. Eugena Tomini tha: “Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ju bën një thirrje vetëndërgjegjësuese të gjithë ju të bëni kujdes në respektimin e masave të vendosura sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë pa dallim.”

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer testime në 362 raste të dyshuara nga të cilat, 90 rezultuan pozitivë. Kjo është shifra më e lartë e rasteve pozitive të identifikuara që kur filloi pandemia në mes të muajit mars. Virusi tashmë ka mbërritur edhe në zonat më të largëta të Shqipërisë, përfshirë qytete si Erseka ku u shënuan rastet e para, por përhapja më e madhe është në Tiranë, Krujë, Kurbin, Vlorë e Shkodër.

Numri i rasteve të shëruara, 33 përgjatë 24 orëve të fundit, është tre herë më i ulët se sa numri i rasteve të reja ndërsa aktualisht 90 persona janë të shtruar në spital, një shifër kjo gjithashtu rekord.

Tomini përfundoi buletinin e të premtes me një thirrje drejtuar bizneseve, duke i kërkuar dizinfektim të rregullt të mjediseve të punës dhe ajrosje të herëpashershme.

Ndalimi i përhapjes së COVID-19 është edhe një prej  kushteve të vendosura nga shumë shtete për hapjen e kufijve. Bashkimi Europian kërkon që numri i bartësve aktivë të virusit të jetë jo më i lartë se 16 për 100 mijë banorë ndërsa aktualisht në Shqipëri ka 1088 të sëmurë ose 39 për 100 mijë banorë. /reporter.al/