Raporti i Komisionit Evropian: Kosova ka shënuar pak progres në cilësinë e arsimit

Raporti i Progresit për Kosovën këtë vit shpalos së vendi ka shënuar “pak” përparim në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Sipas raportit, nuk ka pasur ndryshime në lidhje me strukturën e shpenzimeve, pasi me mbi 80% të buxhetit të shpenzuar në paga të mësuesve, e sipas tyre, në këtë mënyrë ka lënë shumë pak fonde për investime në arsim cilësor.

Shpenzimet publike të Kosovës për arsim në vitin 2021 thuhet se mbetën të pandryshuara, në 4.6% të Bruto Produktit Vendor (14% e buxhetin total).

Sipas raportit të fundit, Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë legjislacioninin për arsimin e lartë, Agjencinë e Akreditimit.

Raporti thotë se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht, përderisa rekomandojnë që Kosova të aplikojë sistematikisht mekanizmat e sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, veçanërisht në arsimin parauniversitar dhe profesional; në fushën e arsimit të lartë, vazhdimi i monitorimit post-akreditues të programeve.

“Kosova duhet të miratojë Ligjin e ri për Arsimin e Lartë që do të forconte autonominë dhe integritetin akademik të institucioneve të arsimit të lartë dhe do të përmirësonte sigurimin e cilësisë. Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA) vazhdoi përpjekjet për të rifituar anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë. Kosova duhet të miratojë Ligjin për Agjencinë e Akreditimit, për të rritur pavarësinë e saj operative dhe transparencën e emërimeve të menaxhmentit të AKA-së” – thuhet në këtë raport.  

Po ashtu, rekomandojnë finalizimin e zbatimit të kuadrit të ri kurrikular për arsimin bazë cilësor, tekstet shkollore dhe duke ofruar trajnime të qëndrueshme për mësuesit; rritja e ofrimit të arsimit dhe formimit profesional cilësor për profesionet e kërkuara në funksion të Garancisë për Rininë (Youth Guarantee).

“Kosova duhet të marrë parasysh një vlerësim të detajuar te formulat ekzistuese të alokimit për kokë, duke u fokusuar në përshtatshmërinë dhe barazinë, veçanërisht duke pasur parasysh ndryshime demografike dhe politika të reja” – thuhet në raport.

Sipas raportit, në vitet e fundit Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në rritjen e qasjes në arsimin parashkollor dhe fillor, por duhet bërë më shumë për të rritur në mënyrë të barabartë mbulimin e arsimit parashkollor dhe të mesëm.

“Autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të rritur mbështetjen financiare për të rritur shërbimet sociale dhe shëndetësore të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për t’i integruar ata në mënyrë efektive në institucionet arsimore”- thuhet mes tjerash në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.