Rama nga Parada e Krenarisë: Është me rëndësi që Prishtina dhe Kosova të jenë të barabartë për të gjithë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është duke marrë pjesë në “Paradën e Krenarisë” që organizohet nga komuniteti LGBTI në Prishtinë.

Nga ky organizim, kryetari Rama tha se është me rëndësi të madhe që Kosova dhe Prishtina të jenë të barabartë për të gjithë, pa dallim.

“Është me rëndësi të madhe që Kosova, Prishtina të jenë të barabartë për të gjithë, që të ju mundësojë secilit person çfarëdo gjinie apo religjioni, që me ju mundësu të jenë vetëvetja. Pra të jemi të barabartë të gjithë, edhe këtë Prishtina po e tregon çdo vit që të jemi një kryeqytet të hapur për të gjithë, të barabartë për të gjithë, pra me i përkrahë të drejtat e gjithë qytetarëve të kryeqytetit” – tha Rama.

Tutje, i pari i Prishtinws tha se ka ende probleme, për shkak se sipas tij, një numër i komunitetit LGBTI maltretohen dhe keqtrajtohen pa arsye.

“Kemi për fat të keq ende shumë probleme, sepse një numër i komunitetit për fat të keq edhe maltretohen, keqtrajtohen pa arsye, pra vetëm për atë që janë. Ne duhet t’i përkrahim secilin qytetar të Prishtinës me kush janë dhe çka janë, të ndihen të lirë që të jenë vetëvetja. Edhe sot po e bëjmë këtë këtu” – tha Rama para gazetarwve.

Në Prishtinë në sheshin ‘Skënderbeu’ ka nisur Parada e Krenarisë, që organizohet nga komuniteti LGBTI.

Parada është nisur nga sheshi ‘Skënderbeu’ drejt Katedralës dhe do të përfundojë tek Biblioteka Kombëtare.

Parada do të përmbyllet me një koncert.

Pjesëmarrës në këtë paradë është edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ambasadorë dhe fytyra të tjera publike nga politika.

Java e Krenarisë në Kosovë ka nisur më 03.06.2024 , ndërsa kjo është hera e tetë që në Kosovë mbahet parada e Krenarisë.

Kryeministri Kurti merr pjesë në “Paradën e Krenarisë”