Foto: RTK

Rakiq në takim me Palmer dhe Kosnett, përmend kishat dhe Asociacionin

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është takuar sot me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Lista Serbe njofton se në takim është folur për situatën politike në Kosovë, pozicionin e popullit serb dhe Kishën Ortodokse Serbe.

“Nevoja për respektim të të drejtave të popullit serb është theksuar posaçërisht, por edhe ajo për vazhdimin e dialogut të mbështetur nga Bashkimi Evropian midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe në dritën e zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme, kryesisht të lidhura me Asociacionin e komunave serbe, energjisë dhe gjyqësorit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Matthew Palmer, po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Vizita e zyrtarit evropian dhe atij amerikan në Kosovë ka të bëjë me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të paralajmëruar muajin e ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./RTK