Orikumi, Foto: Euronews Albania

Qyteza e braktisur bregdetare e Shqipërisë

Në 12 mijë banorë që figurojnë të regjistruar në njësinë administrative Orikum, 30 për qind e të rinjve janë larguar në dhjetëvjeçarin e fundit.

Sipas kreut të njësisë Administrative, Selim Hyskoçelaj, shkak janë kërkesat e larta që kanë sot të rinjtë.

“Faktorët mund të mos jenë mungesa e punës por varet nga kërkesat që ka rinia. Zona e Orikumit është një nga ato zonat e begata sa i përket turizmit i cili kërkon njerëz të kualifikuar dhe një pjesë e rinisë tonë nuk i përgjigjet kërkesave të kohës për zhvillimin e turizmit”, tha Hyskoçelaj.

“Orikumi është një njësi që ka 12 mijë banorë në përqindje rinia ka ikur rreth 30% në këtë 10 vjeçarin e fundit. Ata që sistemohen atje, qëndrojnë për një farë kohe dhe investimet e tyre i kthejnë këtu. Fuqia punëtore për zonën tonë është gjithmonë boshe, kërkohen punëtor dhe punëtorë që vijnë gjatë periudhës së verës maj- shtator janë nga Librazhdi, Kukësi, fshatrat e Korçës sepse rinia e zonës tonë ka kërkesa më të larta”, shtoi ai.Specialistja e zyrës së gjendjes civile në njësinë administrative Orikum, Dorjana Hibroj tha se 7 vitet e fundit ka një rritje të numrit të lindjeve e cila ne shifra tregon rritje të numrit të banorëve, por shumica e tyre kanë ndodhur përtej kufijve.

Orikumi është qytet bregdetar në jug të Shqipërisë.

Burimi: Euronews

Çfarë thonë qytetarët?

Në qytezë sheh vetëm të moshuar dhe biznese që kanë ulur qepenin. Të moshuarit thonë se fëmijët e tyre kanë ndërtuar jetën jashtë dhe nuk synojnë të kthehen pasi në Orikum u mungon perspektiva.

“Orikumi më shumë është i larguar. Janë pa punë, ku do venë ku do ushqehen. Bën një shkollë ku do të punojë. Mund të them që nga 2010 është më shumë largimi”, thotë një qytetar.

“Arsyeja është e thjeshtë, këtu nuk funksionon shteti, nuk ka shtet. Këta e kanë katandisur si fshatrat e Lumit të Vlorës që kanë qenë të prapambetura. Orikumi ka qenë qytet i mirë , të gjithë e kishin zili, tani të gjithë po e braktisin po shesin shtëpitë asnjë s’blenë. Unë kam një fëmijë të sëmurë në Itali i japin 600 euro ilaçe, këtu i japin 20 mijë lekë, për çfarë do rrish këtu”, tha një tjetër.

Orikumi për shkak të shpopullimit përballet me mungesë të fuqisë punëtore gjatë verës por edhe me reduktim të numri të nxënësve në shkolla.

Në gjimnazin “Hasan Pulo” numri i nxënësve sa vjen e tkurret:

Burimi: Euronews

Vetëm gjatë viti 2021, popullsia në moshë aktive pune është reduktuar me 20%.