Qytetarja sfidon kandidatët për korrupsion e nepotizëm - VIDEO

Një qytetare ka sfiduar kandidatët për deputetë të PDK-së dhe AAK-së, sot gjatë një debati zgjedhor në Mitrovicë.

Qytetarja tha se ‘po i vjen me kesh’ kur këto parti po i flasin për korrupsion, ndërsa u shpreh se njerëzit largohen nga Kosova për shkak të ‘zorit’ e jo prej dëshirës.

“Po më vjen për me kesh kur po folni për nepotizëm dhe korrupsion, në qoftë se qikaq shumë e keni dashtë vendin në kohën kur keni qenë në koalicion, qysh ndodhi rasti i postës që u bë shumë e madhe, e që tha që e i kanë mbajt në fiokë reformat partitë tjera, çka boni AAK-ja, krejt me nepotiztëm i shtini në punë. Edhe në anën tjetër që e përmendet migrimin, kërkush prej qejfit nuk e lëshon Kosovën, kur shkon një student i Anglisë në Gjermani me studiu, ai e bën prej qejfit, e për shembull me shku na prej Kosovës në Gjermani ose dikund tjetër”, u shpreh qytetarja gjatë debatit.

E kandidatja për deputete e PDK-së, Besa Ismajli, u përgjegj se PDK-ja ka vizion dhe program të veqantë për rininë, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Ka qenë një vendim goxha i guximshëm me ia rrit vetit pagën edhe me këtë me thonë se është rregullu kjo çështje. Por sido të jetë rasti, zhvillimi ekonomik, programi i PDK-së për zhvillimin ekonomik, parasheh një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik deri në 8%, stimulimin e bizneseve dhe luftimin e informalitetit, si një prej ngecësve të zhvillimit ekonomik në përgjithësi. Ne e dimë shumë mirë çështjen e emigracionit dhe Partia Demokratike ka një program shumë efikas që ka me sjellë deri te ndalimi i emigrimi për aryse që tashmë janë aktuale siç janë mungesa e vendeve të punës apo shanseve të barabarta për punësim për aryse korrupsioni dhe nepotizmi. Përndryshe këto janë prej fenomeneve që mendoj se gjithmonë do t’i kemi të pranishme, por është shumë e rëndësishme që për kushte themelore Kosovën të mos ta lëshojë askush. Mendoj se për rininë Partia Demokratike ka një program dhe një vizion shumë të qartë për dekadën e re, ju inkurajoi që ta lexoni dhe ta mbështesni në saje të atij programi”, u përgjegj kandidatja e PDK-së, Besa Ismajli.

Debati është transmetuar live në KALLXO.com – LINK